Vendosni fjalën kyçe....

Publikohet letra e dorëheqjes së Alqi Bllakos: I bindur se në fund do provohet pafajësia ime


Pak më herët deputeti socialist Alqi Bllako dorëzoi në Kuvend kërkesën për dorëheqjen nga mandati.

Kjo një ditë pasi SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizim për arrestimin e tij si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit.

Ndërkohë publikohet letra e tij e dorëheqjes, ku Bllako shkruan se e dorëzon mandatin “me vullnet të plotë”.

Më tej ai shprehet i bindur se në fund të procesit hetimor ndaj tij do të provohet pafajësia.

“Me bindjen e plotë se në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia ime, integriteti dhe ndershmëria në detyrën e ushtruar me këtë akt personal vihem në dispozicion të drejtësisë duke gjykuar t’i hap rrugën të pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë”- shkruan Bllako.

Pasditen e sotme është lënë të mbahet mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut dhe për të hequr imunitetin e Bllakos. Por ai vendosi të hiqte dorë vetë në mënyrë vullnetare, pa pritur Kuvendin t’i heqë imunitetin.