Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Të gjithë folën kundër Veliut dje vetëm ata që kanë në dorë shkarkimin heshtin


Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një deklaratë për shtyp nga selia blu kërkoi shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, pas video së publikuar nga ky i fundit ditën e djeshme në Komisionin e Sigurisë, ku justifikonte dhunën e një polici ndaj një të mituri.

Sipas Vokshit, qëndrimi i Veliut ditën e djeshme ka sjellë zemërim të madh për të cilin kanë kërkuar edhe largimin.

Por, ish deputetja thotë se pavarësisht kërkesave, ata që kanë në dorë shkarkimin kanë heshtur.

Deklarata e plotë:

Pak gjëra kanë sjellë një zemërim aq të madh të qytetarëve sesa qendrimi i djeshëm kriminal i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Socialistë apo opozitarë, të gjithë kërkojnë shkarkimin e Ardi Veliut. 

Një zyrtar që justifikon dhunën policore kundër një të mituri duke sulmuar nënën e tij me metodat e sigurimit të shtetit nuk duhet të ketë vend në Policinë e Shtetit. 

Pavarësisht kërkesës unanime për të larguar Ardi Veliun, njerëzit që kanë në dorë shkarkimin e tij, po heshtin.  

Edi Rama bën sikur nuk ka parë gjë, Sandër Llëshaj bën sikur nuk ka kuptuar gjë, duke shpresuar se me kalimin e kohës do ta shpëtojnë mercenarin e tyre dhe të bandave kriminale.

Heshtja mafioze e kryeministrit dhe e Ministrit të Brendshëm për qendrimin skandaloz të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është prova më domethënëse se veprimi i Ardi Veliut është linjë partiake dhe qeveritare. 

Duke mos e shkarkuar atë, Edi Rama provon se do të bënte të njëjtën gjë si Ardi Veliu, do të sulmonte si mafioz një grua për të justifikuar dhunën policore ndaj djalit të saj të mitur. 

Edi Rama është peng i urdhrave të paligjshëm që ka zbatuar herë pas here për llogari të tij Ardi Veliu. 

Kjo shpjegon heshtjen e Edi Ramës dhe të Sandër Lleshajt, në një kohë kur e gjithë Shqipëria është e revoltuar dhe kur të gjithë duan që Ardi Veliu të mos përfaqësojë më Policinë e Shtetit.  

Një kryeministër normal, i papërzierë në punë të pista, do ta kishte shkarkuar menjëherë një drejtor policie që justifikon me prova të sajuara rrahjen e një të mituri për shkak të prejardhjes familjare, sulmon si kriminel gjakftohtë një nënë kryefamiljare dhe që shkel të drejtat e njeriut.

Të dashur qytetarë! 

Sa herë të shikoni Ardi Veliun, mos harroni zemërimin legjitim që keni sot! Ardi Veliu është Edi Rama! Këta mendojnë se mund të bëjnë gjithçka me jetët tuaja dhe të fëmijëve tuaj dhe të mos japin llogari, por i kanë bërë llogaritë gabim!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *