Vendosni fjalën kyçe....

E kaloi natën te Teatri, Kryemadhi: Donin të ndërhynin por nuk i realizuan dot planet


Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka kaluar natën me artistët dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Mëngjesin e sotëm, Kryemadhi ka deklaruar se në mbrojtje të Teatrit Kombëtar do të jenë çdo natë, përfaqësues të politikës dhe jo vetëm, në mënyrë që askush të mos i afrohet dhe të cenojë këtë godinë me histori për gjithë shqiptarët.

Kryemadhi tha se ka patur punonjës të bashkisë së Tiranës, të cilët kanë pritur për të ndërhyrë mbrëmë kur aktivistët dhe përfaqësuesit e politikës të largoheshin nga Teatri.

“S’dua të them me keqardhje, por ndoshta edhe me kënaqësi them se planet e ndërhyrjes së mbrëmjes së djeshme nuk u realizuan dot. Më vjen keq për gjithë ata punonjës bashkie që e kaluan natën nëpër cepat e bashkisë apo cepat e rrugëve e në zyrat e ndërmarrjeve duke pritur momentin për të hyrë. Por kjo qëndresë e sotme është më e pakta për të ndenjur syhapur dhe mos lejuar dhunimin  e kësaj godine, që i rezistoi tërmeteve më të fuqishme që ka parë Shqipëria në këto 100 vite, sigurisht do rezistojë me stoicizmin e saj edhe përpara kufomave politike si ajo e Edi Ramës. Kjo qëndresë do vazhdojë, do jetë e përnatshme, qëasnjërit të mos i shkojë në mendje që të gjejnë momentet si skutha, si falsifikatorë… të vijojnë të bëjnë gjëra të fshehta siç bënë duke falsifikuar një mbledhje të Këshillit Bashkiak e cila nuk ka ndodhur.

 Ne ishim një grup modest që qëndruam mbrëmë gjithë natën, ishte një gjendje relativisht e qetë, nuk patëm asnjë problem. Por kjo qëndresë do të vazhdojë kështu e përnatshme. Nuk kanë tentuar të na largojnë, kanë pasur besimin se ne mund të largoheshim nga Teatri. Punonjësit e bashkisë ishin në gatishmëri të plotë, ne e kemi parë sepse lëviznim rreth sheshit.

Kishte hyrje-dalje në Bashkinë e Tiranës. Rreth orës 5 të mëngjesit, kur e kuptuan që ne nuk do të lëviznim nga sheshi, ata pastaj u larguan.

Nuk do jemi vetëm ne dhe PD. Do jenë të gjithë faktorët politikë dhe jopolitikë, kishte nga shoqëria civile, shumë artistë, që qëndruan këtu. Kjo do të jetë e organizuar nga të gjitha grupet e shoqatave, partitë politike të frontit opozitar dhe shumë artistë e qytetarë të përfshirë në Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së tha se do vijojë përsëri të qëndrojë pranë Teatrit, edhe pse mbase jo në turnin dezhurn: “Unë do të jem prapë këtu, ndodhta jo në turnin dezhurn, por me telefon te koka për çdo lajthitje që mund të vijë në çdo çast nga ana e qeverisë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *