Vendosni fjalën kyçe....

Viktimat nga koronavirusi do vdisnin gjithsesi? Studimi i ri thotë “Jo”: Do jetonin edhe 11 vjet


Një nga gjërat e pakta që ka qenë e qartë që në fillim në lidhje me koronavirusin është se ka më shumë gjasa të prekë të moshuarit dhe të sëmurët, sesa të rinjtë dhe të shëndetshmit.

Por edhe pse besohet rëndom se viktimat nga koronavirusi do të kishin vdekur gjithsesi edhe po të mos ishin infektuar, një studim i ri tregon  të kundërtën. Përkundrazi, ata do të kishin jetuar për një mesatare prej 11 vjetësh, nëse nuk do të ishin prekur nga sëmundja e COVID-19.

Studimi është kryer nga institutet hulumtuese skoceze. Studiuesit përdorën të dhëna nga Uellsi, Skocia dhe Italia, si dhe tabelën e “Borden Global të Sëmundjeve” të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si një referencë për të vlerësuar vitet e jetës së mundshme të humbura nga viktimat e sëmundjes.

Ata zbuluan se mesatarja e viktimave në Itali ose Britani, do të kishin jetuar për 11 vjet të tjerë nëse s’do ishin infektuar. Virusi duket se po vret në mënyrë disproporcionale burrat, kështu që ata kanë një jetëgjatësi më të shkurtër sesa gratë. Një e pesta e të ndjerëve ishin njerëz të shëndetshëm në moshën 50-60 vjeçare dhe që kishin një mesatare të pritshme për të jetuar dhe 25 vjet më shumë.

Por si mund ta dinë shkencëtarët se sa kohë do të kishin jetuar njerëzit? Ka mënyra dhe mjete, megjithëse ato janë larg përsosmërisë.

Një shkencë e papërsosur

Së pari, studiuesit panë Italinë, ku 99% e viktimave kanë moshën mbi 50 vjeç. Llogaritja e moshës mesatare që pritet të arrijnë njerëzit e shëndetshëm bëhet me thjesht një kontrollim të të dhënave të OBSH-së për të parë se për sa kohë jetojnë njerëzit e tjerë të moshës së tyre.

Sipas kësaj mase, shumë të moshuar mund të presin të vazhdojnë të jetojnë për mjaft kohë.

Pjesa më e vështirë për studiuesit, ishte marrja parasysh e kushteve themelore të shëndetit të pacientëve të ndjerë. Sëmundjet më të zakonshme ishin hipertensioni (presioni i lartë i gjakut), diabeti tip 2 dhe sëmundjet e zemrës. Studiuesit vunë në dukje kushtet kryesore themelore midis vdekjeve në Itali nga Covid-19 dhe, duke i kombinuar me të dhënat nga grupet e tyre në Britani. Ata formuan vlerësime për numrin e viteve që këto kushte pritet të hiqnin nga njerëzit. Kjo i uli shifrat e parashikuara, por jo shumë.

Analiza ka pasur disa kufizime. Studimi nuk mund të merrte parasysh se sa të rënda ishin kushtet themelore të shëndetit tek pacientët që humbën jetën. Për më tepër, këto të dhëna nuk përfshinin njerëzit në shtëpitë e kujdesit social- shumë prej të cilëve ka të ngjarë të kenë jetëgjatësi më të ulët sesa të moshuarit e tjerë.

Disa kanë sugjeruar që 12 ose 18 muaj nga tani, të gjithë njerëzit që do të kenë vdekur nga Covid-19 do të kishin vdekur gjithsesi për shkak të sëmundjeve të tyre themelore.

Të tjerët nuk kanë shkuar aq larg, duke thënë se dy në çdo tre viktima të Covid-19 do të kishin vdekur brenda një viti. Me këtë mendim është dhe Neil Ferguson, profesor në Kolegjin Imperial në Londër.

Por nëse ky studim skocez është i saktë, atëherë kur kriza të ketë mbaruar, Covid-19 patjetër do të ketë shkaktuar shumë vdekje shtesë.

Fakti që studiuesit gjetën një numër kaq të lartë mesatar të viteve, sugjeron që Covid-19 po i jep fund shumë jetëve parakohe. Ai gjithashtu tregon që virusi është një makinë vrasëse në vetvete.

Marrë nga RT


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *