Vendosni fjalën kyçe....

Izolimi rrit dhunën në familje në Shqipëri


Izolimi e masat kufizuese të qeverisë lidhur me Covid-19 kanë rritur rastet e dhunës në familje.

Ato raportohen në disa qarqe ku personat e dhunuar nga familjarët e tyre më së shumti janë gratë e të moshuarit.

Në një rast të para pak ditëve në Tiranë, bashkëshorti i cili kishte varësi nga bixhozi ka dhunuar gruan e tij në prani të fëmijës së mitur.

Ai kishte shitur më herët rrobat e shtëpisë e më pas ka dhunuar bashkëshorten. Pas kësaj ai është arrestuar ndërsa bashkëshortja e tij ka marrë urdhër mbrojtjeje.

Një rast tjetër dhune në Tiranë është ai i një 55-vjeçari i cili akuzohet se në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj kunatës së tij e fëmijëve të saj të mitur, edhe pse ajo ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga policia.

Ditën e sotme policia arrestoi në Kamëz një 35-vjeçar, i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës së mitur të bashkëjetueses së tij, i cili është dërguar në spitali e Traumës me fraktura në brinjë.

I mituri i dhunuar në Tiranë

Në Mallakastër u ndalua para disa ditësh një 33-vjeçar, me iniciale A.M., banues në Ballsh. Sipas policisë, ai ka ushtruar dhunë në banesën e tij ndaj babait të tij, 66-vjeçarit me iniciale, Y.M.

Një rast tjetër dhune është raportuar në Lushnjë para tre ditësh, ku 29-vjeçari me iniciale S.Gj., sipas policisë ka ushtruar dhunë të vazhdueshme fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Kreu i Gjykatës së Beratit, Durim Hasa

Një gjykatës në Berat pohoi pak ditë më parë se karantina ka ulur rastet e dhunës në familje, duke qenë se në një muaj e gjysmë sipas kreut të gjykatës, Durim Hasa, janë lëshuar vetëm dy urdhra mbrojtjeje dhe një masë sigurimi.

Sipas Hasës, shkak për uljen e denoncimeve lidhur me dhunën në familje mund të jetë fakti që viktimat e dhunës janë të detyruara të jetojnë në banesë me dhunuesit pa pasur mundësinë që të largohen prej tyre e të thërrasin policinë.

Por një strehëz lokale për dhunën në familje ka deklaruar se në qytet janë rritur me 40% denoncimet për dhunën në familje.

Masat e kufizimit të qarkullimit me mjete lidhur me Covid-19 nisën të zbatohen në datën 12 mars, ndërsa gradualisht ato u shtrinë edhe mbi këmbësorët duke ndaluar krejtësisht lëvizjen çdo fundjavë e duke kufizuar maksimalisht lëvizjen gjatë një 24 orëshi, me vetëm 90 minuta.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *