Vendosni fjalën kyçe....

Hemorragji në tru e brinjë të thyera, njerku akuzohet për dhunë ndaj 3-vjeçarit


Një 3-vjeçar, që dyshohet se është dhunuar nga njerku i tij në Tiranë, ka përfunduar në reanimacion.

Sipas burimeve të Hashtag.al, i mituri ka 7 brinjë të thyera dhe hemorragji në tru e organet e brendshme e për momentin është në reanimacionin e Pediatrisë në QSUT, në gjendje të qëndrueshme.

Lidhur me ngjarjen e rëndë u arrestua në Kamëz, 35-vjeçari Alfred Kazanxhi, i cili akuzohet se ka dhunuar barbarisht fëmijën e mitur brenda në banesë.

Sipas gazetares Klodiana Lala, që ka siguruar dosjen e prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në datën 24 prill, kur i mituri është dërguar rreth orës 12 të mesditës në spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë, pasi kishte fraktura në gjithë trupin.

Pas vizitës nga mjekët e spitalit, të cilët kanë parë shenjat e dhunës në trupin e të miturit, ata i kanë kërkuar policisë që të ndiqte rastin.

Aktualisht i mituri ndodhet te reparti i Pediatrisë në QSUT, ku mësohet se është në reanimacion me 7 brinjë të thyera e hemorragji në trup e organet e brendshme.

35-vjeçari Alfred Kazanxhi ka deklaruar në gjykatë se ka qenë në banjë dhe kur ka dalë e ka gjetur fëmijën të shtrirë në dysheme kurse nëna e të miturit ka qenë jashtë banese për të bërë pazarin.

“Po blija bukë e qumësht afër Institutit. Më ka marrë Alfredi dhe më tha se djali është pa ndjenja. Kur shkova tek shtëpia, gjeta ambulancën poshtë. Alfredi më tha që ka rënë nga divani. Kur shkova në spital më thanë që djali kishte thënë se e kanë rrahur mami dhe babi.” – ka deklaruar ajo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *