Vendosni fjalën kyçe....

Kriza aktuale – Globalizmi, problem apo zgjidhje?


Nga Prof. Dr, Anastas Angjeli

(Po përjetojmë nje pandemi që po u rrezikon jetën njerëzve, pse jo po merr shumë jetë dhe po shkakton një nga krizat ekonomike e sociale globale më të rënda pas krizës së depresionit të madh 1929-1932).

SI KRIZAT LOKALE SHNDËRROHEN NË KRIZA GLOBALE?

Një nga mësimet e krizës aktuale të pandemisë së koronavirusit, thekson nobelisti i Ekonomisë – Stiglitz, është se do të ndërgjegjësohemi se sa të lidhur jemi në nivel global, shumë më tepër nga sa mendojmë. Jetojmë në një planet të vogël dhe ajo që ndodh në një vend prek edhe pjesën tjetër. Edhe në rastin konkret të kësaj krize, e cila shpërtheu në një Provincë të Kinës, tashmë, atë, po e përjeton gjithë Bota. Edhe ne këtu në vendin tonë. Kështu po kuptojmë se si kjo krizë lokale u shndërrua në krizë globale dhe pasojat tashmë janë dramatike, shëndetësore, ekonomike e sociale.  Kjo pandemi dhe përballja me pasojat shumëdimensionale të saj, na imponojnë një bashkëpunim ndërkombëtar, një front të përbashkët në shkallë globale. Jo vetëm kaq, por të nxjerrim mësime, të përshtatemi me ndryshimet që po vijnë.

Fenomeni i kalimit dhe shndërrimit të krizave lokale në globale kanë ndodhur (edhe kur globalizimi si fenomen nuk ekzistonte, shekuj e shekuj më parë, nga krizat me bazë epidemitë si kolera, gripi spanjoll apo kriza e depresionit të madh 1929-1933) që në fazat fillestare e deri sot. (kriza e vitit 70-të, 80-të, 2008, 2020). Pra shembujt janë të shumtë. Dhe sot në kushtet e globalizimit, kalimi dhe shndërrimi i krizave lokale në kombëtare e ndërkombëtare, është jo vetem i mundshëm, por po shndërohet në fenomen.

Kështu, megjithëse Depresioni i Madh ishte një nga shembujt më të spikatur se si një krizë lokale mund të bëhet globale, shumë kriza të tjera kanë ndodhur që nga fillimi i ekonomisë së ndërlidhur globale në shekullin XIX. Gjithçka, duke filluar nga  lufta në ndryshimin e klimës e deri tek trazirat politike, ka gjunjëzuar tregjet financiare. Sidoqoftë, forcat ciklike, të tilla si prodhimi i tepërt, spekullimet ose euforia, janë shkaqet më të zakonshme të krizave financiare dhe shpesh ndiqen nga përplasjet e aksioneve, pezullimet nga puna, rritje të papunësisë, dhe biznese të mbyllura e të falimentuara.

Ndonjëherë krizat financiare shkaktohen dhe nganjëherë zgjidhen nga forcat plotësisht të palidhura me problemin fillestar. Rënia e çmimeve pas Luftës Civile të SHBA-së, për shembull, përfundoi vetëm kur rritja e arit në Afrikën Jugore çoi në ringjalljen e veprimtarisë ekonomike në të gjithë botën. Shpërthimi i Luftës se Dytë Botërore në vitin 1939, në përgjithësi, lidhet me rikthimin e jetës së industrisë Amerikane, duke i dhënë fund Depresionit të Madh, shumë më përpara se Shtetet e Bashkuara të hynin në luftë në fund të vitit 1941. Reçesioni në pjesën më të madhe të botës industriale në vitet 1970 ishte një rezultat i drejtpërdrejtë i vendimit të vendeve prodhuese të naftës për të imponuar një embargo në dukje për të rritur çmimet.

Shumë nga shkrirjet e fundit financiare, duke filluar nga rrëzimi i bursës së vitit 1987, tek shpërthimi i flluskës së dot-com në vitin 2000, e deri tek kolapsi i tregut që u ndoq nga sulmet terroriste në 11 shtator 2001, u përkeqësuan nga forcat ekonomike dhe sociopolitike jashtë kontrollit të çdo vendi dhe ndikoi shumë në tregjet në të gjithë botën. 

Kriza financiare e 2008-ës, edhe pse mori shkas nga kolapsi  i Bankës së Investimeve Lehman Brothers (15 Shtator 2008) dhe më pas ajo ekonomike në 2011, ajo ishte fillimisht një krizë hipotekare e kredive në sistemin bankar dhe u shndërrua në një krizë globale me rënie ekonomike, tronditje të sistemit financiar (bankar) dhe falimentimin e disa bankave, luhatjen e tregjeve  financiare ndërkombëtare recesionin ekonomik në disa vende, ”shtrëngimin e rripit,” papunësisë, etj, duke marrë përmasa globale.

Kriza aktuale, ajo e pandemisë së koronavirusit (siç e theksova me sipër) shpërtheu (sipas të dhënave të deritanishme) në 17 Nëntor 2019 (mjekët e deklaruan epideminë në fund të Dhjetorit) në një provincë të Kinës, në  Wuhan, kryeqyteti i Provinces Hubei, me një popullsi prej 11 milion banorë. Dhe shumë shpejt ajo u shndërrua në krizë-pandemie, nga Kina, në shumë vende në Azi, në Europë, Amerikë dhe tashmë ajo është një pandemi globale me pasoja të rënda ekonomike e sociale. Kështu kriza ekonomike, rrjedhojë e pandemisë është shndërruar në krizë ekonomike globale, një nga më të rëndat pas asaj të Depresionit të Madh 1929-1932. Kjo krizë po çon në recension ekonomitë e vendeve më të zhvilluara, tregjet finaciare po luhaten fort, tregtia ndërkombëtare po goditet, prodhimi, tregtia dhe çmimi i naftës  gjithashtu, papunësia dhe problemet sociale vazhdojnë të rëndohen. E kështu, të gjithë pranojnë se kriza ekonomike që po pason luftën me “armikun e padukshëm”do të jetë aq e madhe sa ndryshimet që ajo do të sjellë do të shkundin format e vjetra të sundimin ekonomik.

GLOBALIZMI PROBLEM APO ZGJIDHJE?

Po përse kjo krizë nga lokale u shndërrua në globale? Prej Globalizmit? A është globalizmi zgjidhja e zhvillimit të sotëm të kapitalizmit? Apo është një pengesë, është ai problemi? Ndodhi kjo prej sistemit shëndetsor joefikas? Vetëm nën ndikimin e këtyre dy faktorëve, apo ka më shumë?

Debatet rreth kësaj çështjeje kanë ardhur në rritje gjatë zhvillimit të globalizmit, por tani kanë marrë përmasa të mëdha në kushtet aktuale të pandemisë së COVID-19 dhe krizës ekonomike globale që ka shpërthyer, veçanërisht roli i politikës së hapjes së kufijve, lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave etj. Ky diskurs ka nxjerrë në pah avantazhet e globalizimit dhe disavantazhet e tij, u ka dhënë “shpresa” konservatorëve e populistëve për më shumë kritika ndaj globalizimit dhe ka shtuar kërkesat për “mbyllje” duke e fajësuar dhe për krizën e sotme, ndërkohë që forcave progriste u ka nxitur mendimin për më shumë hapje e  bashkëpunim e solidaritet, për më shumë zgjidhje shkencore e zhvillim të teknologjisë dhe të arsimit, konsolidimit të sistemit shëndetësor dhe trajtimit të tij si një e mirë publike, ridimensionimit të politikave ekonomike etj.

Kështu, ka politikanë që përmes spektrit politik të tyre na paralajmërojnë për rreziqet që vijnë nga globalizimi, përmes thirrjeve të shumta drejt diçkaje që përngjan me sistemin izolues të epokës së Depresionit. Dhe thuajse të gjithë ata shfrytëzojnë frikërat tona duke na thënë se ‘vendet elitare’ janë duke lulëzuar ndërsa pjesa tjetër e jona është duke vuajtur një rënie të paepur në të ardhurat dhe mundësitë e tyre.

Problemi qëndron se përkufizimi i fjalës ‘elitë’ ndryshon shumë në varësi të krahut prej nga vijnë politikanët. Në një krah, qëndron elita ekonomike, e njohur si një-përqindëshi, e cila duke pasur akses të pakufizuar në kapital dhe në tregje, përfiton nga globalizimi për të grumbulluar fitimet e pista ndërsa pjesa tjetër e njerëzimit vuan. Në anën tjetër qëndron elita me prirje të majtë, e cila duke pasur akses në arsim dhe në pushtet, mbështet programin e saj liberal të pluralizmit kulturor dhe hap kufijtë, gjë e cila çon drejt imigrimit të papërmbajtur dhe në deficite tregtare të larta. Ky fenomen ka ndezur diskursin për kapitalizmin e kohës së sotme, atë me dimension akoma më social apo kapitalizmin dixhital.

Globalizimi sipas përkufizimit nënkupton dyer të hapura. Na jep mundësi të reja për të blerë, shitur dhe udhëtuar jashtë. Disa prej tyre mund të humbasin vendet e tyre të punës, por shumë të tjerë do të fitojnë vende të reja pune. Sipas statistikave, tregtia dhe shkëmbimi përkthehen në rritje ekonomike. Shpesh herë, të pasurit priren të përfitojnë më tepër kur fitimet shtohen, por një ekonomi në rritje nënkupton gjithashtu rritje të kërkesës për fuqi punëtore.

Kjo nuk do të thotë se duhet të pranojmë qorrazi pabarazitë që globalizimi thellon. Por, në vend që të fajësojmë globalizimin për pabarazitë në të ardhura, përse të mos fajësojmë ato qeveri që lejojnë pjesën më të madhe pasurisë së re të derdhet në xhepat e të pasurve? Ekziston një mënyrë, të cilën qeveritë mund ta përdorin dhe e kanë përdorur prej shekujsh për të rishpërndarë pasurinë: taksat. Dhe mënyra se si funksionon sistemi i taksave është e thjeshtë: merren më tepër para nga të pasurit sesa nga të varfrit. (Ai që ka më shumë të ardhura taksohet më shumë, ai që ka më pak taksohet më pak. Imagjinoni që edhe një nga investitorët më të mëdhenj në botë, miliarderi, Warren Buffett, ka kritikuar mospajtimin e brendshëm të sistemit ‘kapitalist’, ku ai, vetë, një prej njerëzve më të pasur të botës paguan një përqindje më të vogël tatimi mbi të ardhurat e tij në krahasim me atë çfarë paguan sekretarja e tij). Pastaj, krijohen programe për zhvillimin dhe  që ndihmojnë ata që janë më tepër në nevojë. Dhe me një klasë të mesme të begatë, rritja e veprimtarisë konsumuese çon drejt një ekonomie në zhvillim dhe në këtë mënyrë thuajse të gjithë, jo më vetëm një grup i caktuar njerëzish, pasurohen.

Në fillim të viteve 90’ thuajse 23% e popullsisë botërore u përcaktua si shtresë e mesme – me të ardhura që arrinin deri në 20.000 dollarë ose më tepër. Sot më tepër se 45% e popullsisë botërore bën pjesë në këtë kategori, gjë e cila përkthehet në thuajse 2.3 miliardë njerëz të dalë nga varfëria. Tani që këta qindra-miliona njerëz të vendeve të varfra kanë kaluar në shtresën e mesme, janë kthyer në një treg tërheqës mallrash dhe shërbimesh, duke filluar nga autoveturat e deri te transferimi dixhital i muzikës,etj.

Funksionimi i një tregu të lirë dhe një ekonomie të hapur  është relativisht i lehtë. Zakonisht blejmë nga vendet e tjera nëse çmimet e tyre janë më të lira se brenda vendit ku dhe kur çmimet janë më të larta. Qëllimi është që çdo vend të ketë mundësinë për të shitur atë çfarë prodhon me sa më shumë efektivitet dhe më pas të mund ta importojë pjesën e mbetur.

Sikurse ka thënë dikur ylli i kinematografisë, Joan Crawford, duke iu drejtuar autorit Oscar Wilde, “Më e keqe se të jesh i përfolur është të mos përflitesh”. Në ekonominë globale konvergjente të shekullit të njëzetenjë, i shkon përshtat një thënie e tillë. Në shumë vende, e vetmja gjë më e keqe se vetë hapja e kufijve për tregti është mos-hapja e kufijve. Ndonëse ekzistojnë shumë disavantazhe për sa i përket shkëmbimit të lirë të mallrave, shërbimeve dhe parasë, avantazhet janë thuajse shumë herë më të larta.

Të gjitha vlerësimet e deritanishme janë që fenomi i globalizmit është në zhvillim të vrullshëm dhe anët pozitive, avantazhet janë shumë më të mëdha se disavantazhet, kështu që ai (globalizmi) është zgjidhje për më shumë zhvillim dhe jo pengesë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *