Vendosni fjalën kyçe....

Ish-prefekti i Shkodrës flet për herë të parë pas shkarkimit: Të shohim përpara


Disa ditë pas shkarkimit nga detyra, flet për herë të parë ish-prefekti i Shkodrës, Çeks Millja. Në një deklaratë përpara gazetarëve, Millja tha se nuk dëshiron të bëjë komente për motivet e shkarkimit.

Ai tha se dita e sotme nuk është për deklarata por për të punuar për rritjen e masave parandaluese lidhur me përhapjen e pandemisë së COVID-19. Ish-prefekti shtoi se sot ka dorëzuar detyrën dhe ka falenderuar stafin.

“Duke ju falenderuar ju, pikësëpari ju them se kjo nuk është kohë deklaratash por është kohë për punë. Sot është ditë pune për të rritur masat ndaj parandalimit të këtij fenomeni të vështirë në të cilin kombi ynë, Shqipëria dhe Shkodra po kalon, do ju thoja që themelore është të marrim masa e të punojmë së bashku për të realizuar atë detyrë që të ruajmë jetën e njerëzve dhe të bëhemi bashkë për këtë qëllim. Por unë dua dhe isha këtu sot, jo vetëm për të dorëzuar detyrën por edhe për t’i falenderuar për punën dhe kontributin e tyre dhe veçanërisht gjatë kësaj epidemie, kanë punuar duke filluar që nga institucioni i prefektit, institucionet e pushtetit vendor, institucionet e tjera territoriale që kanë menaxhuar dhe zbatuar të gjitha aktet normative dhe dala dhe të mirëkuptuara. Për këtë dua të them se me rëndësi është të shohim përpara dhe jo se çfarë është bërë në të kaluarën.”– tha Millja.

I pyetur lidhur me motivin e shkarkimit, ai konsideroi se në shkresë jepet vetëm urdhri për lirimin nga detyra. Ndërsa konsideroi se ka punuar i frymëzuar nga qytetarët e Shkodrës.

“Shkresa ka vetëm lirohesh nga detyra në vendimin e Kryeministrisë dhe ky është motivacioni për t’u larguar. Nuk merrem me këto komente, ju thashë që në fillim, detyra ime sot është të falenderoj të gjithë qytetarët e Shkodrës, që për këto dy vjet kanë qenë frymëzimi, respekti dhe jam ndier komod e ndihem krenar, që në bashkëpunimin që kam patur me ta unë e kam realizuar dhe ju keni qenë pasqyrë e punës sime. Sepse po ta shihni, çdo ditë keni patur jo më pak se dy herë komunikatë për gjithë punën që kanë bërë institucioni i perfektit, bashkkitë dhe gjithë institucionet territoriale.”- tha Millja.

Por kujtojmë se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nuk mendonte se Millja kishte punuar sa duhet lidhur me masat për frenimin e përhapjes së pandemisë.

 Lleshaj e argumentonte shkarkimin e Milljas, duke thënë se nga ana e tij është konstatuar mungesë përgjegjësie dhe vendimmarrje gjatë periudhës së pandemisë.

 “Për fat të keq gjatë kësaj periudhe është vërejtur një burokraci e papranueshme, një mungesë përgjegjësie. Situata të tilla kërkojnë inciativë dhe vendim marrje. Hezitimi për të vepruar dhe vendosur, shkakton mosveprim me pasoja. Mungesa e vendimmarrjes është arsyeja kryesore e vendimit për lirimin nga detyra të prefektit.”- janë fjalët e ministrit.

Detyrën e re e ka marrë zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *