Vendosni fjalën kyçe....

Basha publikon foton e tregut të mbushur me njerëz: Kjo është shumë e rrezikshme


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me dyndjen e qytetarëve drejt supermarketeve dhe tregjeve ushqimore paraditen e sotme, pas urdhrit të qeverisë për vendosjen e gjithë Shqipërisë në karantinë.

Duke publikuar një foto të një tregu të tejmbushur në kryeqytet, Basha shprehet se kjo që ka ndodhur sot është mjaft e rrezikshme.

Sipas tij duhet nje analizë objektive se si mund të organizohet dhe zbatohet izolimi dhe distancimi social.

“Kjo nuk është aspak mirë! Kjo është shumë e rrezikshme!

Natyrisht që njerëzit duhet të blejnë gjërat e domosdoshme, duhet të marrin shërbimet esenciale, ju duhet të kryejnë disa pagesa, por grumbullime si këto janë të rrezikshme. Kjo është mënyrë e sigurtë për të përhapur virusin. Të tilla grumbullime zhvlerësojnë çdo sakrificë të bërë deri tani.

Ndaj duhet një analizë objektive, bazuar mbi praktikat më efektive deri tani: Si mund të organizohet dhe zbatohet izolimi dhe distancimi sa më i disiplinuar dhe nga ana tjetër njerëzit të mund të marrin shërbimet jetike POR duke shmangur çdo dalje të panevojshme, radhët e gjata dhe grumbullimet masive.

Asgjë nuk është e lehtë. Por gjithçka duhet bërë që të shmangim dhe ngadalësojmë sa mundemi përhapjen e COVID 19.

Të dashur qytetarë! Qëndroni në shtëpi! Duke respektuar distancimin social, izolojmë virusin.  Kështu i japim shans vetes dhe të afërmve tanë ta kalojmë me sa më pak pasoja këtë gjendje dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit!”- shkruan Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *