Vendosni fjalën kyçe....

Thaçi nuk pret Kurtin, firmos dekretin për shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka pritur kryeministrin Albin Kurti, por e ka nënshkruar vetë shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme në Kosovë për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Thaçi thotë se e ka marrë një vendim të tillë, pas takimit me Këshillin e Sigurimit të Kosovës.

“Bazuar në detyrat e mia kushtetuese si President, pas takimit të sotëm me Këshillin e Sigurimit të Kosovës, kam nënshkruar një dekret për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mes të situatës së krijuar nga shpërthimi i # COVID19”, shkruan Thaçi në “Twitter”.

Për të hyrë në fuqi, dekreti i presidentit do të duhet të votohet nga dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Unë i bëj thirrje parlamentit të bashkohet e ta ratifikojnë atë”, shkruan ai.

Presidenti Thaçi i kishte kërkuar dje kryeministrit Albin Kurti shpalljen  e gjendjes së jashtëzakonshme. Por duket se qeveria nuk pajtohet me të. Siç shkruan gazeta Telegrafi,  zëvendëskryeministri Haki Abazi tha në konferencën për media se kryeministri Kurti nuk ka rënë dakord që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës.

Abazi, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk shihet e nevojshme dhe duket si masë ekstreme.

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirus.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *