Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti afgan refuzon lirimin e 5 mijë talibanëve të burgosur, marrëveshja në rrezik


Presidenti i Afganistanit, Ashfraf Ghani, e ka refuzuar kërkesën e talibanëve për lirimin e pesë mijë militantëve të këtij grupi si kusht për fillimin e bisedimeve me qeverinë afgane. Ky kusht raportohet se është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve dhe mund të paraqesë pengesë serioze për zbatimin e saj.

Deklarata e kreut të shtetit afgan erdhi pas përpjekjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, të cilat po përpiqen t’i bindin palët e konfliktit të brendshëm që t’i fillojnë bisedimet mes vete.

“Qeveria e Afganistanit nuk është zotuar për lirimin e 5 mijë të të burgosurve talibanë”, tha Ghani para gazetarëve në Kabul, vetëm një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Katar, me të cilën po shpresohet t’i jepet fund luftës së gjatë.

Në këtë marrëveshje thuhet se Shtetet e Bashkuara dhe talibanët janë të përkushtuar që të punojnë shpejt për lirimin e të të burgosurve politikë dhe të të burgosurve të luftës si masë për ndërtimin e besimit, me koordimin dhe miratim të të gjitha palëve relevante.

Më saktësisht, parashihet lirimi i pesë mijë talibanëve në njërën anë dhe një mijë të të burgosurve të qeverisë afgane në anën tjetër. Ky shkëmbim pritej të kryhej deri më 10 mars.

Megjithatë, kundër këtij plani doli presidenti afgan, i cili tha: “Nuk është në autoritetin e Shteteve të Bashkuara që të vendosin, ato janë vetëm ndërmjetëse.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *