Vendosni fjalën kyçe....

Pranga të arta për elitën


Nga Neritan Sejamini

Elita shqiptare ka edhe për drejtësinë një koncept elitar: drejtësia është drejtësi vetëm kur ajo vepron kundër të varfërve, të pamundurve, të vetmuarve, atyre pa emër, pa famë.

Elita jonë do drejtësi, por vetëm kur dënohen karrocjerët, marangozët, lypsat, romët…

Drejtësia për të fuqishmit, të pasurit, të famshmit duhet të ketë një tjetër kod procedure penale, tjetër trajtim e tjetër gjykim.

Nëse të varfërit arrestohen brutalisht, ndërsa të pambrojturit mbahen në qeli për asgjë, ndërsa anonimëve u shkelet çdo e drejtë nga policia, prokuroria e gjykatat, kjo është normale, nuk përbën lajm e nuk meriton vëmendjen e elitës.

Por kur bëhet fjalë për të famshmit e të pasurit, elita revoltohet dhe hidhet në sulm—për duart e tyre kërkon pranga ari dhe jo hekuri të ndryshkur; arrestimin te tyre kërkon të mos e bëjnë policët e vrazhdë dhe të papërgatitur që kemi, por profesorë doktorë në psikologji dhe etikë; dhe kërkon që policia e prokuroria të japin menjëherë llogari në publik për çdo veprim e akuzë të ngritur, dhe jo të presin deri kur të shkojnë në gjykatë.

Elita jonë beson se vetëm të varfërit, vulgu, lumpeni mund të bëjnë krime. Ose ata që e kanë trupin të mbuluar me tatu, qafën me zinxhirë, dhëmbë të vënë prej ari e pamje të frikshme.

Ata që vishen me Gucci, hanë sushi, japin mendime nëpër televizione, marrin pjesë në inagurime librash apo ditëlindje ministrash janë të paaftë të vjedhin qoftë një lek apo të dëmtojnë qoftë një mizë.

Elita jonë beson se krim janë vetëm grabitjet e trafiqet që bëhen me armë në dorë e me banda, ndërsa grabitjet me mashtrim, vjedhjet me korruptim, shkatërrimi i konkurentëve me kapje të shtetit, evazioni fiskal, riciklimi i parave të krimit, vjedhja e pronësisë intelektuale, fallsifikimi i dokumentave zyrtare nuk janë krime, por aktivitete mondane kulturore-zhvillimore.

Para pak ditësh vdiq në një qeli të ndyrë një njeri që nuk duhet të ishte aty—nuk kishte bërë krim për t’u mbajtur në qeli dhe kishte një gjendje shëndetësore që çdo kush mund ta kuptonte se qelia do të ishte vetëvrasje për të, sikurse ndodhi.

Për të nuk u shkruajt asnjë opinion, nuk u revoltua asnjë intelektual, nuk iu kërkua llogari policëve, prokurorëve, psikologëve, burokratëve për veprimet e tyre shpërfillëse dhe me pasoja tragjike.

Emrin e tij nuk e përmendi askush e nuk e mban mend askush. Maksimumi, dikush e përdori vdekjen e tij politikisht për të sulmuar kundërshtarin politik.

Ai person sot është një shifër banale në statistikat, që nuk i lexon asnjë intelektual e askush tjetër, të një vendi të humbur ku jeta e dinjiteti vlejnë zero dhe paraja është e vetmja fe dhe i vetmi ligj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *