Vendosni fjalën kyçe....

OFL u kërkon të justifikojnë pasurinë Dritan Dajtit dhe Xhevdet Troplinit


OFL ditën e sotme u ka kërkuar të justifikojnë pasuritë dy personazheve të tjerë të njohur të botës së krimit, Dritan Dajtit dhe Xhevdet Troplinit.

“Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, si dhe për sekuestrimin e pasurisë në kushtet e emergjencës.

Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve: 

– D. D., me banim në Tiranë, i dënuar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”;

– Xh. T, me banim në Durrës, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. 

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.”– thuhet në njoftimin e OFL-së.

Dritan Dajti ka qenë një nga personat më të kërkuar në Shqipëri. Për herë të parë ai u akuzua për vrasjen e biznesmenit Agim Beqa, në vitin 1999.

Ai u dënua fillimisht me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës për veprën penale të vrasjes. Por Dajti u arratis nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003, vetëm pak minuta para se të fillonte seanca kundër tij.

Ai qëndroi për 6 vite në arrati. Pas një operacioni për arrestimin e tij, me 7 gusht të vitit 2009, mbetën të vrarë 4 policë: Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *