Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti takon delegacionin e Komisionit të Venecias: Vendosja e medias nën kontroll politik me pasoja të rënda për Shqipërinë


Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim delegacionin e Komisionit të Venecias, të cilët i njohu me të gjitha argumentat e tij lidhur me vendimin për të rikthyer në Kuvend të ashtuquajturën paketë “Anti-Shpifje”.

Sipas një njoftimi nga Presidenca, gjatë këtij takimi, Meta theksoi se “liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik.

Pavarësia e pushtetit të medias është thelbi i funksionimit dhe mbarëvajtjes së shtetit të së drejtës. Nëse cenohet liria e shprehjes dhe e shtypit, dhe media vendoset nën kontroll politik, atëherë është cenuar dhe rendi i lirë dhe kushtetues, me pasoja direkte dhe shumë të rënda për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.

Presidenti i vendit theksoi se nisma ligjore për median e maxhorancës, është shkelje e hapur e parimeve kushtetuese.

“Çdo nisëm ligjore që cenon të drejtën e fjalës së lirë, nuk është gjë tjetër vetëm një shkelje e hapur e gjithë parimeve kushtetuese demokratike. Hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore të miratuara nga qeveria do të përkeqësonte besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend demokratik dhe i shtetit të së drejtës, si dhe të cenonte drejtpërdrejt procesin e integrimit të shpejtë të vendit në Europën e Bashkuar”– tha Meta.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *