Vendosni fjalën kyçe....

Balluku takon Sekretarin Amerikan të Energjisë


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila ndodhet në Uashington, është takuar atje me Sekretarin Amerikan të Energjisë, Dan Brouillette.

Në fokus të këtij takimi, kanë qenë partneriteti ekonomik në fushën e energjisë mes SHBA dhe Shqipërisë, si dhe siguria energjitike si një prioritet jetik për ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit.

Balluku e informoi Brouillette-n për situatën aktuale në vend, arritjet dhe sfidat e së ardhmes, duke u ndalur veçanërisht tek diversifikimi i burimeve energjitike dhe krijimi i pavarësisë, si një element bazë i sigurisë energjitike.

Në këtë takim merrte pjesë dhe asistent sekretari Theodore J. Garrish. Ata diskutuan dhe për penetrimin e gazit të lëngshëm LNG në tregun shqiptar si dhe përdorimin e tij për vënien në funksion të TEC-it të Vlorës, ndërtimi i depozitave apo dhe i një terminali për LNG në të ardhmen, që do t’a bënte Shqipërinë një pikë të shkëlqyer shpërndarje për sasitë e eksportuara të LNG nga SHBA-ja.

Ndër të tjera Balluku dhe Brouillette diskutuan mbi interesin e investitorëve amerikanë në fushën e eksplorimit të naftës, si dhe mundësinë më të gjerë të investimit në këtë sektor.

Ministrja Balluku e vuri në dijeni Sekretarin Brouillete për angazhimin e qeverisë Rama, për të krijuar një klimë të favorshme për investimet e huaja përmes procedurave transparente dhe konkurencës së drejtë. Ajo e garantoi Sekretarin Brouillete se investitorët amerikanë do të gjejnë në Shqipëri mbështetjen e qeverisë për të bërë biznes në kushte optimale.

Iniciativa të rëndësishme në fushën energjitike, të cilat mund të shërbejnë pozitivisht në nxitjen e sektorit në vend, si P-TEC (Partnership for Transatlantic Energy Cooperation), apo OCGI (Oil and Gas Initiative) janë çështje me interes të prezantuara nga Departamenti i Energjisë, të cilat po merren seriozisht në konsideratë.

Ditët e fundit Balluku ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë amerikanë të fushës së energjisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *