Vendosni fjalën kyçe....

Thaçi dhe Haradinaj përshëndesin krijimin e qeverisë, kërkojnë plotësimin e premtimeve


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe tashmë ish-kryeministri Ramush Haradinaj kanë reaguar pas votimit në Kuvend të qeverisë së re me Kryeministër Albin Kurtin.

Thaçi ka uruar kabinetin e ri dhe më pas ka kërkuar që të përmbushen premtimet e dhëna për qytetarët.  

E mirëpres votimin e sotëm të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për krijimin e Qeverisë së re. Duke uruar kabinetin e ri qeveritar, i ftoj të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve të dhëna karshi qytetarëve, duke kompensuar ditët e humbura dhe vazhduar angazhimin institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore”-shkruan Thaçi.

Edhe Ramush Haradinaj ka përshëndetur qeverinë e re duke i kërkuar të çojë përpara proceset e rëndësishme për vendin.

Më tej Haradinaj sqaron se ka autorizuar zv-kryeministrin Behgjet Pacolli që të dorëzojë mandatin pasi vetë personalisht ndodhet në vizitë zyrtare në SHBA.

Nga sot, Kosova ka hyrë në një fazë të re me krijimin e institucioneve.

Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë.

Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin.

Në këto ditë, unë po qëndroj për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një agjendë që është caktuar shumë kohë më përpara dhe kësisoj pranim – dorëzimi i mandatit, formalisht do të bëhet nga ana e ZëvendësKryeministrit të parë z. Behgjet Pacolli, të cilën procedurë tashmë e kam autorizuar.

Edhe njëherë shpreh besimin që Qeveria e re, t’i dalë zot temave të rëndësishme për qytetarët tanë”-shkruan Haradinaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *