Vendosni fjalën kyçe....

SHBA akuzon tre studiuesit se gënjyen për lidhjet me Kinën


Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar një profesor të Harvardit dhe dy studiues kinezë, me qendër në Boston se kanë ndihmuar qeverinë kineze.

Kryetari i departamentit të Harvardit, Charles Lieber akuzohet se gënjeu për lidhjet e tij, ndërsa studiuesit u akuzuan se ishin agjentë të huaj.

Lieber akuzohet se ka pranuar më shumë se 1 milion dollarë nga qeveria kineze. Universiteti i Harvardit i quajti akuzat ndaj tij “jashtëzakonisht të rënda”.

Në një deklaratë të universitetit thuhet se Profesor Lieber është pezulluar për një kohë të pacaktuar.

Kush tjetër u akuzua?

Prokurorët thanë që Yanqing Ye, një studiuese e robotikës në Universitetin e Bostonit, fshehu faktin që ajo ishte në ushtrinë kineze.

Zonja Ye është akuzuar për identifikimin e rremë të vetvetes si studente ndërkohë që vijon të punojë për Ushtrinë Çlirimtare të Popullit, ndërsa përfundon një numër detyrash në SHBA.

Studiuesi i kancerit, Zaosong Zheng, u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Bostonit me 21 shishka të mostrave biologjike në çantën e tij. Prokurorët pretendojnë se ai ishte duke planifikuar të kthehej në Kinë për të vazhduar studimet e tij atje.

Cilat janë lidhjet?

Dokumentet e gjykatës pretendojnë se Lieber, i cili ka punuar si krye hetues në Grupin Kërkimor në Universitetin e Harvardit, mori më shumë se 15 milion dollarë grante nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA-së dhe Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së.

Marrësit e këtyre granteve duhet të zbulojnë çdo konflikt interesi, përfshirë mbështetjen financiare nga qeveritë ose organizatat e huaja.

Sidoqoftë në vitin 2011, pa dijeninë e Harvardit, Lieber u bashkua me Universitetin e Teknologjisë të Wuhan-it në Kinë si shkencëtar.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ai gjithashtu mori pjesë në Planin e Mijëra Talentëve, një program që synon të tërheqë specialistë të huaj të kërkimit. Shtetet e Bashkuara e kanë shënuar programin si një shqetësim të sigurisë në të kaluarën.

Nga roli i tij në Universitetin e Teknologjisë në Wuhan, Lieber mori një pagë mujore prej 50,000 dollarësh, përveç shpenzimeve për jetesën që shkonin deri në 158,000 dollarë.

Në dosje thuhet se atij iu dha më shumë se 1.5 milionë dollarë për të krijuar një laborator kërkimor në Ëuhan dhe si kthim, pritej të punonte për universitetin, duke aplikuar për patenta dhe duke botuar artikuj në emër të tij.

Dosjet e gjykatës pretendojnë se Lieber nuk e zbuloi këtë informacion dhe gjatë një interviste me hetuesit, gënjeu për përfshirjen e tij në planin e Mijëra Talentëve dhe lidhjen e tij me universitetin në Ëuhan.

Histeri apo spiunazh jo-tradicional?

Kina thotë se plani i saj për “Mijëra Talententet” është krijuar për të mbajtur njerëzit e talentuar në vend, në mënyrë që të parandalojnë një largimin e tyre në vende të tjera. Vendi ka humbur talentin në vende si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, ku qindra mijëra kinezë marrin pjesë në universitete të larta dhe më pas vendosen përfundimisht atje.

Por pikëpamja e SHBA-së është se Kina po përsërit një taktikë famëkeqe në librin e saj të zhvillimit: vjedhjen e pronës intelektuale.

Për dekada, Uashingtoni e ka akuzuar Pekinin për vjedhje të shkencës dhe teknologjisë nga SHBA-ja në mënyrë që të fitojë një avantazh konkurrues.

FBI paralajmëron se “Plani për Mijëra Talente” mund të përdoret nga Pekini si një kanal për të kryer “spiunazh jo-tradicional”, megjithëse shumë raste të raportuara nuk kanë të bëjnë me spiunazhin, por shkelje të etikës, të tilla si mos zbulimi i plotë i konflikteve financiare të interesave.

Uashingtoni ka rritur shqyrtimin e tij për këtë plan të Kinës që nga viti 2018, kur të dy vendet filluan një betejë tregtare, dhe Pekini është përmbajtur për të mos folur publikisht për programin.

Tabloidi i shtetit kinez “Global Times” e etiketoi skepticizmin amerikan si “histeri”.

Që prej vitit 2008, më shumë se 7,000 studiues dhe shkencëtarë me qendër jashtë Kinës kanë marrë pjesë në Planin për Mijëra Talente, shumë prej të cilëve janë me origjinë kineze.

Shumë paralajmërojnë se përpjekjet e Uashingtonit nuk duhet t’i japin rrugë profileve racore. David Ho, një studiues i njohur Tajvano-Amerikan për HIV, sugjeroi në një intervistë: “Nëse dëshiron të zbatosh politika, duhet t’i zbatosh për të gjithë, jo vetëm për shkencëtarët kinezë.”

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *