Vendosni fjalën kyçe....

“AlbChrome shkeli sërish Kodin e Punës, nuk lejoi anëtarët e sindikatës për tu takuar në ambientet e punës”-SMBB (Video)


Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) ka denoncuar sërish kompaninë Albchrome për shkelje të Kodit të Punës pasi nuk ka lejuar ditën e sotme drejtuesit e sindikatës për të zhvilluar takim me anëtarët e sindikatës në ambientet e punës.

SMBB-ja sqaron se takimet e sindikatës në ambientet e punës mbrohen edhe nga Kodi i Punës në nenin 181 pika 7.

Kjo sindikatë bën fajtor për shkeljen e ligjit Administratorin e Përgjithshëm të Kompanisë Albchrome, Luan Saliaj.

Postimi i plotë:

KOMPANIA ALBCHROME SHKEL SËRISH KODIN E PUNËS

Administratori i Përgjithshëm i kompanisë AlbChrome, Luan Saliaj, nuk ka lejuar ditën e sotme drejtuesit e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës për të ushtruar të drejtën që u njeh ligji për t’u takuar me anëtarët e kësaj sindikate në ambientet e punës. Sipas nenit 181 të Kodit të Punës, pika 7:

“Punëdhënësi duhet të krijojë kushte dhe lehtësitë e nevojshme për përfaqësuesit e zgjedhur të organizatave sindikale për ushtrimin normalisht të funksioneve të tyre, të cilat përcaktohen në kontratën kolektive të punës. Për këtë qëllim punëdhënësi duhet:
a) të lejojë hyrjen e tyre në mjediset e punës;
b) të lejojë shpërndarjen e njoftimeve, broshurave, publikimeve dhe dokumenteve të tjera të organizatës sindikale;
c) t’u japë kohën e nevojshme për të marrë pjesë në veprimtaritë e këtyre organizatave brenda dhe jashtë vendit;
ç) të lejojë dhe t’u krijojë lehtësi në mjediset e punës për grumbullimin e kuotizacioneve të organizatës, si dhe për organizimin e mbledhjeve dhe të takimeve.”

Situata e sotme u krijua pas shpërfilljes së kërkesës së disatë drejtuar kompanisë për të mundësuar këtë takim. Luan Saliaj, pasi mbërriti në ambientet e AlbChrome ku drejtuesit e SMBB po prisnin të zbatohej ligji dhe të takonin anëtarësinë, u shpreh se sindikalistët mund t’i takojë vetëm “si Luan”, për hir të “njerëzillëkut” të tij, por jo si Administrator i Përgjithshëm i AlbChrome. Ndërsa Petrit Cara, drejtori lokal i kompanisë, u shpreh se përfaqësuesit tanë mund t’i takonte vetëm sipas orarit të vet, “si Petrit, si katundar”, por pa i lejuar të takohen me minatorët.

Petriti si Drejtor i AlbChrome, dhe jo si “Petrit”, dhe Luani si Administrator i Përgjithshëm i saj, dhe jo si “Luan”, bëjnë mirë të njihen me ligjet e Republikës së Shqipërisë. Shkelja e sotme i shtohet listës së gjatë të shkeljeve që kanë nisur me pushimin e katër sindikalistëve nga puna, për të cilat do takohemi së shpejti në gjykatë.

I bëjmë thirrje Inspektoratit të Punës dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese që të zgjohen nga gjumi dhe ta detyrojnë kompaninë të zbatojë ligjin. Durimi ynë ka kufi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *