Vendosni fjalën kyçe....

“Asnjë komunikim me mediat”- Lleshaj mesazh krerëve të policisë


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, iu ka kërkuar drejtuesve të policisë që të mos lejojnë daljen e materialeve hetimore për ngjarje të ndryshme kriminale.

Sipas BalkanWeb, në urdhrin drejtuar krerëve të policisë thuhet se këto materiale përbëjnë sekret hetimor dhe po skandalizojnë opinionin publik. Lleshaj i kërcënon vartësit e tij se do marrë masa disiplinore nëse ata komunikojnë me mediat.

 “Përshëndetje të nderuar shefa Komisariatesh dhe sektorësh. Marr shkas nga dalja në media të materialeve procedurale si në rastin e vrasjes në Rrëshen dhe vrasjes në Paskuqan ku dalin detaje të cilat jo vetëm që bëjnë sekret hetimor po skandalizojnë opinionin duke i interpretuar çdo farë personi.
Ju porosis:
Asnjë komunikim me mediat për asnjë lloj argumentimi.
Pasqyrimi i punës suaj do të bëhet nëpërmjet zëdhënësit të drejtorisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme.
Në çdo rast që do të konstatoj do të filloj pa hezitim ecurinë e rëndë disiplinore ndaj jush. Me të njëjtin shqetësim përcilleni të vartësit tuaj këtë mesazh.
Nuk dua justifikime për daljen e tyre por ju porosis të jeni të vëmendshëm për ecurinë. Konfirmoni”, thuhet në mesazhin e Ministrisë së Brendshme.

Ky urdhër vjen pas vrasjeve në Rrëshen dhe Paskuqan të ditëve të fundit, për të cilat kanë qarkulluar mjaft detaje në media.