Vendosni fjalën kyçe....

Një politikan kujtohet për minatorët e Bulqizës: Lëvizja sindikaliste atje të kthehet në një lëvizje mbarë kombëtare


Ndërkohë që minatorët në Bulqizë kanë mbetur jashtë vëmendjes së politikanëve dhe të shumicës së mediave në vend, një ish-deputet ka një mesazh urimi për Vitin e Ri për ta.

Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, uron që lëvizja sindikaliste e nisur në Bulqizë të kthehet në një lëvizje mbarë kombëtare e të gjithë minatorëve në Shqipëri.

Ai shpreson që të miratohet statusi i minatorit dhe kujton se ai vetë por edhe prokurorë e gjykatës të larguar nga Vetingu, ende marrin pagesë për statusin që kanë pasur. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e krijuar në nëntor, akuzon kompaninë ‘Albcrome’ të Samir Manes se po largon nga puna pa të drejtë punonjësit që janë anëtarësuar në sindikatë dhe se po ushtron presione të tjera ndaj punonjësve. Por ndërkohë që minatorët në Bulqizë ngrejnë zërin, një pjesë e mirë e mediave si dhe e politikanëve ngurojnë t’ja përmendin emrin biznesmenit.

MESAZHI  I SPAHIUT 

Gëzuar Vitin e Ri!

Ky urim është për minatorët e Pusit nr 2 por dhe ata të Zonës së Parë e Zonës D.

Ky urim është për minatorët e Batrës, Klosit, Përrenjasit, Pukës, Selenicës, Korçës e Valiasit.

Ky urim është për minatorë dhe ish minatorë në të gjithë Shqipërinë.

Viti 2020 i gjen ata me një lëvizje të re sindikaliste për t’u përshëndetur, me shpresën që ata te jenë sa më shumë, e të gjithë bashkë të luftojnë për një jetë më të mirë, e për të drejta të mohuara, si njerëzit e punës më të rëndë, më të veshtirë nga çdo profesion tjetër.

Shpresoj që lëvizja sindikaliste e nisur në Bulqizë të kthehet në një lëvizje mbarë kombëtare e të gjithë minatorëve në Shqiperi, ku qëllimi kryesor i saj, të jetë miratimi i Statusit të Minatorit, si dokumenti dhe ligji kryesor që zgjidh probleme bazike të punës, mirëqënies, dhe një jete dinjitoze që i takon dikujt që punon, ka punuar, por dhe do të punojë nesër në minierë.

Statusi i Minatorit rregullon:

Pagën minimale.

Pensionin minimal.

Kujdesin shendetësor.

Pagën e plotë familjeve në rast të humbjes së jetës të kryefamiljarit në minierë.

Moshën por dhe vitet e punës së daljes në pension.

Me miratimin e Statusit të Minatorit përfitojnë rreth 20,000 minatorë dhe ish minatorë në Shqipëri.

Kjo duhet te jete kërkesa bazë e çdo lëvizjeje sindikaliste.

Statusi i Minatorit është një e drejtë e mohuar minatorëve prej afro 30 vitesh, të drejtë qe e kanë oficerë, naftëtarë, por dhe deputetë.

Kujtoj që un sot paguhem me gjysmën e pagës, por dhe prokurorë e gjykatës të larguar nga vettingu marin rreth 40% te pagës reale për një periudhë te caktuar, pasi, është statusi i veçante i miratuar në Parlament që jua garanton atë.

Dhe njeherë, urimet më të mira vëllezërve të mi bulqizakë, që punojnë apo jo në minierë, me lutjen, por dhe thirrjen e kujdesit maksimal ditën që votojnë.

Janë Ilir Beqja e Almira Xhembulla të zgjedhur në Qarkun Dibër dhe votuan kundër Statusit të Minatorit, Vazhdojnë deputetë, me pagë të plotë.

Ka shume mjete e mënyra për zgjidhje problemesh, por më e forta, që secili nga ne ka në dorë, është ajo “copë” letër që quhet Fletë Votimi.

Shenja që ne vëmë aty ka lidhje direkte me jetën tonë, femijëve tanë e të gjithë shoqërisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *