Vendosni fjalën kyçe....

Meta tregon pse u takua me djalin e George Soros


Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka sqaruar takimin me zëvendëspresidetin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, dhe djalin e George Soros, Aleksandër.

Meta thotë se ky takim ka ardhur me kërkesë të Sorosit për të diskutuar për Reformën në Drejtësi dhe jo për ‘MiniShengenin’ siç pati deklaruar profesor Kastriot Islami mes shumë të tjerësh. Në një përgjigje për këtë të fundit, Meta thotë se pas akuzave që bëri ai publikisht për George Soros, fondacioni i tij i ka bërë disa kërkesa për të sqaruar pozicionin e tyre lidhur me Reformën në Drejtësi.

Meta konsideron se do të ishte jo etike nga ana e tij t’i shmangej një takimi të drejtpërdrejtë, për të shprehur shqetësimet që ka edhe nga afër. Presidenti ka përmendur edhe një herë tjetër referendumin si zgjidhje për situatën në vend.

“Një përgjigje për mikun tim Prof. Kastriot Islami dhe gjithë të tjerët!

I mirëkuptoj reagimet emocionale të sinqerta apo të nxitura, lidhur me takimin tim me z.Aleksandër Soros, Zëvendëspresident i Fondacionit “Shoqëria e hapur”, të bërë publik nga Zëdhënësi im z.Blushi. Nuk më dukej me vend të reagoja ndaj tyre, por pas shkrimit të z.Islami, i cili veçse intelektual i njohur, është edhe ish-ministër i Jashtëm, më duhet të sqaroj disa rrethana dhe të shuaj çdo keqkuptim. Unë nuk i di arsyet e vizitës së z.Soros në Tiranë, dhe as kam pyetur për to, pasi Shqipëria është e hapur për t’u vizituar nga të gjithë.

Ajo që di është se nga muaji korrik kur unë bëra publike disa akuza për rolin e Fondacionit “Shoqëria e hapur” për kapjen e drejtësisë së re nga Kryeministri, ka patur disa kërkesa zyrtare për takim nga përfaqësues të këtij Fondacioni, në veçanti për të sqaruar pozicionin e tyre lidhur me Reformën në Drejtësi. Do të ishte jo etike nga ana ime që ndërsa kam shprehur publikisht rezervat e mia për ta, t’i shmangesha një takimi të drejtpërdrejtë, për t’u shprehur këto shqetësime edhe nga afër. Për më tepër që shmangiet dhe gënjeshtrat nuk janë në karakterin tim.

Takimi është bërë me kërkesë zyrtare dhe ka qenë zyrtar. Tema e të ashtuquajturit “Mini-Shengen” nuk ka ekzistuar në takim. Tre temat që unë jam përqëndruar kanë qenë kapja e drejtësisë nga Kryeministri, përkeqësimi i lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, dhe gjallërimi i shoqërisë civile në vend kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dhunimit të vlerave të demokracisë.

E vetmja temë që nuk u përmend nga Zëdhënësi im ishte ajo e menaxhimit të pasojave të tërmetit. Lidhur me të ashtuquajturin “Mini-Shengen” unë e kam bërë të qartë publikisht e në mënyrë të përsëritur se çdo iniciativë rajonale është e dobishme kur është gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese, kur udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, kur sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje. Ndërsa për qëndrimin tim ndaj shtetit të Kosovës dhe Pavarësisë së saj të gjithë e dinë qëndrimin tim. Aq më tepër për Taksën e Kalimashit.

Asnjë takim nuk e ndryshon axhendën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe përkushtimin e Tij për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve shqiptarë përmes garantimit të zbatimit të referendumit si e drejtë kushtetuese. SHQIPËRIA E PARA!  SHQIPËRIA NË BASHKIMIN EUROPIAN!”– shkruan Meta.

Presidenti i vendit Ilir Meta, dy ditë më parë priti në Presidencë Aleksadër Soros, djalin e Presidentit të Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, muaj pasi kishte bërë akuza në drejtim të babait të tij.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi tha për mediat se Meta e njohu Soros me shqetësimet për përpjekjet e qeverisë për kapjen e institucioneve të drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *