Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta: Serbia të ndalojë fushatat kundër Kosovës


Presidenti i Republikës Ilir Meta, i ka bërë thirrje Serbisë të ndalojë fushatën kundër integrimit të Kosovës, në nismat rajonale e institucionet ndërkombëtare.

Këtë deklaratë Meta e ka bërë në një intervistë për televizionin boshnjak “O Kanal”.

Ndërsa pyetej lidhur me Samitin e tretë të Mini-Shengenit Ballkanikt, që u mbajt dje në Tiranë, Meta tha se mirëpret çdo platformë rajonale bashkëpunimi, që është gjithëpërfshirës.

Meta u pyet se çfarë mendimi ka për taksën e vendosur nga Kosova ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ai tha se është kundër vendosjes së barrierave mes dy vendeve, ama shtoi se Serbia duhet t’i jepte fund fushatës kundër Kosovës.

“Kur ata vendosën të vinin taksën nuk më pyetën, por unë nuk jam pro shtimit të barrierave në marrëdhëniet midis vendeve në rajon, sepse e ardhmja duhet të jetë bashkëpunim i hapur dhe pa kufij dhe pa pengesa. Ne të gjithë synojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian. Ndaj shpresoj që Kosova të shqyrtojë sa më shpejt që të jetë e mundur mundësinë e përmirësimit të mëtejshëm të tregtisë dhe marrëdhënieve të përgjithshme, jo vetëm me Bosnjën, por edhe me Serbinë. Kjo do të ishte shumë e dobishme. Gjithashtu nga ana tjetër, Serbia duhet të ndalojë këtë fushatë kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale ose institucionet ndërkombëtare. Siç është edhe për shembull anëtarësimi në Interpol.

Të gjithë në rajon janë të vetëdijshëm se krimi i organizuar është një nga problemet kryesore në të gjitha vendet tona dhe anëtarësimi i Kosovës në Interpol ndihmon bashkëpunimin, jo vetëm të Kosovës me Interpolin, por për të gjithë rajonin është një kontribut për të luftuar krimin e organizuar nga ky rajon.

Nuk e kuptoj pse Serbia do të merrte një pozicion të tillë, sipas meje, jo shumë të arsyeshëm dhe aspak konstruktive.
Sidoqoftë, unë besoj në dialog, në partneritet dhe shpresoj që së shpejti palët të ulen në tryezën e dialogut dhe ne jemi fuqishëm pro normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.”- deklaroi Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *