Vendosni fjalën kyçe....

Tritoli në makinën e prokurorit, Shoqata e Gjyqtarëve: U godit shteti i së drejtës, të zbardhet sa më parë


Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar ashpër pas vendosjes së tritolit në makinën e prokurprit Albert Kuliçi.

Ky i fundit është zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe njëkohësisht drejtues i Njësisë së Posaçme.

Në reagimin e shoqatës theksohet se ky akt jo vetëm krijon pasiguri mes qytetarëve por është një dukuri e papranueshme për një shtet të së drejtës.

‘Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë përcjell me shqetësim të madh dhe indinjatë të thellë ngjarjen e sotme mafioze, të ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një sasi eksplozivi ka hedhur në erë, duke dëmtuar rëndë, makinën e Prokurorit Albert Kuliçi, me detyrë Zëvendësdrejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe njëkohësisht drejtues i Njësisë së Posaçme (Task Force). Ngjarje të tilla tronditin jo vetëm organet e drejtësisë por krijojnë dhe pasiguri të thellë në radhët e qytetarëve. Cenimi i jetës, shëndetit apo pronës së magjistratit përbën një fenomen të papranueshëm për një shtet të së drejtës, që duhet të vërë në alarm të gjitha strukturat përgjegjëse shtetërore si dhe të zgjojë ndërgjegjen qytetare për rëndësinë e misionit të magjistratit. Autori apo autorët e këtij akti të rëndë ndaj Prokurorit Albert Kuliçi duhet të marrin një përgjigje të shpejtë, efektive dhe të ashpër nga organet ligjzbatuese.’ – thuhet në reagim.

Më tej në deklaratën e shoqatës theksohet se cënimi i magjistratit jo vetëm cënon gjithë shoqërinë por edhe prek garantët e shtetit të së drejtës.

Gjithashtu në reagim thuhet se Shoqata e Gjyqtarëve inkurajon institucionet që të zbardhin ngjarjen për kapjen e autorëve.

‘Funksioni i magjistratit përbën një mision për shoqërinë dhe si i tillë duhet të perceptohet nga të gjithë. Cenimi i personit të magjistratit përbën cenim të të gjithë shoqërisë dhe një atentat ndaj rendit kushtetues, pasi përmes akteve të tilla preken garantët e shtetit të së drejtës. Në këtë kuadër, të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë duhet të solidarizohen në mbrojtje të figurës dhe shërbimit që magjistrati kryen ndaj tyre. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë inkurajon të gjithë organet shtetërore që janë angazhuar tashmë me hetimin e ngjarjes dhe zbardhjen e autorit/autorëve të saj për të kryer një punë profesionale me qëllim që të rikthehet qetësia e munguar dhe besimi i tronditur nga kjo ngjarje në radhët magjistratëve por edhe të të gjithë qytetarëve. Shpresojmë që kjo ngjarje të marrë emër dhe të mos mbesë e pa zbardhur sikurse rëndom ka ndodhur në raste të tjera.’ – shtohet në reagim.

Në fund gjyqtarët shprehin mbështetjen e tyre ndaj prokurorit Albert Kuliçi si dhe ndaj magjistratëve që punojnë me ndërshmëri, profesionalizëm e kurajë.

‘Në të njëjtën kohë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë falënderon të gjithë zyrtarët dhe organet publike të cilave ata u përkasin për reagimin e menjëhershëm mediatik dhe mbështetjen e gjerë që i kanë dhënë prokurorit Albert Kuliçi si dhe të gjithë trupës së magjistratëve në Republikën e Shqipërisë. Së fundi, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë shpreh mbështetjen e parezervë ndaj Prokurorit Albert Kuliçi si dhe ndaj të gjithë magjistratëve, gjyqtarë e prokurorë, të cilët punojnë me ndershmëri, profesionalizëm dhe kurajë, duke mos kursyer asgjë që drejtësia të triumfojë. Shembulli juaj duhet të vazhdojë të shërbejë si frymëzim për të gjithë shoqërinë.’ – mbyllet reagimi.