Vendosni fjalën kyçe....

Protestë për median në Tiranë? Jo, faleminderit


 

 Nga Habjon Hasani

Jam menduar ca nëse duhej ta shkruaja këtë shkrim. Kam ngurruar thuajse 72 orë, por ndoshta nga leximi në vijim do i kuptoni dhe motivet e ngurrimit. Për lehtësi, shkrimin e kam konceptuar në 3 seksione të ndryshme, biçim “vetërrëfimi” duke trajtuar 3 problemet që mendoj se janë më kryesoret, ndërsa tregimi i përvojës personale besoj se e bën më të kuptueshme dhe për lexuesit që e njohin vetëm nga jashtë median.

-Kriminalizimi del me rregull treshi

E kam themeluar portalin tim Hashtag.al në dhjetor të vitit 2015, në këtë periudhë jam mbështetur nga miq të mi në opozitë dhe në pushtet asokohe, miq personalë, nuk kam patur dhe nuk kam asnjë detyrim partiak, askund, detyrime personale patjetër që kam pasur dhe vazhdoj të kem.

Pas afro 4 vitesh portali ka rreth 44 mijë ndjekës në Facebook, dukshëm më pak ndjekës se shumë portale të tjera të themeluara dhe pas Hashtagut, por në dukje. Sepse klikuesit dhe lexuesit, nuk janë e njëjta gjë.

Llogaritë e “lajkeve” nuk i kam bërë asnjëherë duke ndjekur standardin shqiptar, sepse në rast se do ndiqja këtë “standard”, do çedoja në cilësi dhe besueshmëri.

Hesapet i kam bërë duke përdorur aritmetikën dhe rregullin e thjeshtë të treshit, duke ndjekur një formulë të thjeshtë:

“Nëse një media si ‘Wall Street Journal’ posedon një potencial tregu prej afro 180 milionë lexuesish anglishtfolës (mosha 17 e lart) vetëm në SHBA (pa llogaritur Kanadanë, Britaninë etj) dhe ka gjithsej afro 6.4 milionë lexues në Facebook, sa lexues duhet të ketë një media shqiptare që operon në një treg me afro 1.6 milionë lexues potencialë shqipfolës në Shqipëri dhe afro 4 milionë lexues potencialë shqipfolës anembanë?”

Hesapi del shumë kollaj me rregullën e treshit. Në versionin minimal dhe optimal, dysheme dhe tavan.

Këtu nuk kemi llogaritur diferencën e thellë që ka një media online anglishtfolëse, me buxhetin, tregun e reklamave, kapacitetet teknike, kapacitetet e stafit të trajnuar, kualifikimi ndër vite i lexuesit anglishtfolës etj etj, çka janë argumente që shtojnë arsyet që një faqe mediatike profesionale në Shqipëri, të ketë dhe të tjera dizavantazhe, përveç numrit të paktë të popullsisë potenciale shqipfolëse.

Do mjaftonte një aritmetikë e thjeshtë për të kuptuar se numri i mediave apo “klikimeve/shikimeve” në Shqipëri, raportohet shumë herë më i lartë në raport me standardin ndërkombëtar.

Vetëm televizione të “lajmit të fundit” janë nja 5 copë në Shqipëri, SHBA-ja ka vetëm dy të tilla. A thua jemi sa India ne (!)

 Njësoj dalin dhe hesapet e portaleve nëse i peshon me kujdes.

Në këto kushte, me një numër kaq të lartë mediash për frymë, nuk është më fare në diskutim se sa etike e sa profesionale na qenkan lajmet që bëjnë këto media, këtu pyetja që shtrohet është më serioze akoma:

Ku dreqin dalin paratë që i mbajnë në këmbë këto media?

Mendoj se përgjigja është e thjeshtë: tarafi, patronazhi politik, gjobëvënia, intimidimi, korruptimi.

Ndaj dhe për mënyrën si e shoh unë, këtu nuk është më fare në diskutim mënyra si bëhen lajmet, por tashmë është në diskutim mënyra si krijohen vetë mediat.

Gjasat dhe aritmetika e thjeshtë orienton se sistemi mediatik në Shqipëri, jo vetëm që nuk i ngjason ndonjë sipërmarrjeje dinjitare në mbrojtje të interesit publik, por përkundrazi, aritmetika orienton se ky sistem në pjesën dërrmuese është hallkë e zinxhirit korruptiv që gjasme ka mision ta denoncojë.

Ne mund të flasim shumë kollaj për (de)kriminalizimin e medias në këto kushte.

Përshembull, deri 10 vite më parë, në vitin 2008, e vetmja koorporatë që guxonte të aplikonte në Shqipëri ndërtimin e rrugëve me kosto stratosferike, ishte amerikania Bechtel. E mbështetur fuqishëm nga klani teksan Bush-Chenney.

10 vite më vonë, sot në vitin 2019, këtë guxim, për të ndërtuar rrugë me 6 milionë euro kosto kilometri, e ka dhe zoti Aleksandër Frangaj, pronar i TV-Klan, drejtues me përvojë dhe me ndikim të madh në lojën politikë-biznes-media. 

12 vite më parë, në vitin 2007, Edi Rama dhe bashkë me të dhe Top Channel u kritikua dhe u kompleksua, kur prezantuesi i “Fiks Fare” Saimir Kodra kandidoi për kryetar bashkie me siglën e PS-së. Sot, pas 12 vitesh, dy ish drejtorë të Top Channel, janë emëruar nga Rama në institucione të njohura për tenderat e majmë si QSUT dhe OST. Por sot askujt nuk është se i bën përshtypje si në vitin 2007 ky lloj kompromentimi.

Duket sikur pronarët e televizioneve janë bërë më të uritur dhe më të pacipë në dekadën e fundit, ndërsa mileti është mpirë dhe nuk reagon sa dikur. Nëse ky realitet nuk quhet degradim dhe kriminalizim, atëherë ju lutem ma thoni ju termin që e përshkruan më mirë.

-Kurthi i sistemit, NIPT-i dhe Publikja

Në Shqipëri, zakonisht gazetarët e përshkruajnë veten dhe profesionin e tyre me terma poetikë, si misionarë, apo si anëtarë të një komuniteti që ka detyra hyjnore në interes të publikut. Këto janë broçkulla, injorancë ose hipokrizi, ose të dyja bashkë.

Mediat, janë shoqëri tregtare ose OJF, të cilat kanë numër identifikimi të tatueshëm NIPT. Në kuptimin e tregut, janë si çdo subjekt tjetër që zhvillon aktivitet tregtar privat.

Informacioni është produkt në treg. Gazetarët presupozohen si specialistë të informacionit, nuk ka rregulla të shkruara për mënyrën se si duhet të përdoret një informacion.

Gjithësecili e përdor sipas aftësisë dhe ndërgjegjes së vet.

Një informacion mund ta fshehësh dhe mbron një mik, mund ta shesësh, mund ta negociosh, mund ta lësh në sirtar ca kohë se nuhatja të thotë që do të japë më shumë produkt nesër, këtë e ke vet në dorë kur ke median tënde, por e ka shefi yt në dorë ta vendosë si do e trajtojë informacionin, nëse je gazetar dhe ke shef mbi kokë.

Gazetarët vënë gjoba, ndonjëherë në mënyrë të shëmtuar dhe më pak të rafinuar se Shullazi, gazetarët lëpihen, u pëlqen dhe atyre jeta e bukur, paraja dhe pushteti.

Gazetarët nuk janë murgj, që rrinë të mbyllur diku për të ruajtur parimet e shenjta. Janë njerëz. Si gjithë të tjerët.

Po e bëj më të thjeshtë nëpërmjet një shembulli personal.

Në Tetor 2016 faqen e Hashtagut ma goditën. Ishte sulm i sinkronizuar i mbështetur fort nga qeveria Rama, pas disa shkrimeve hetuese që ishin publikuar në Hashtag. Më bllokuan. Dola jashtë loje.

Përveç miqve të mi të afërt, shumica e kolegëve qëndruan indiferentë dhe vetëm dy persona u ofruan për ndihmë.

I pari ishte një biznesmen (mesatar) i kromit nga Bulqiza, të cilin e kisha ndihmuar 5 muaj më herët për dy shkrime pasi dikush në ministri i kishte zënë rrugën dhe e intimidonte.

Nuk e kam takuar asnjëherë këtë person, refuzova ta takoj dhe pse këmbënguli pas shkrimeve që të “pinte një kafe”, jo pse kam alergji një falenderim me zarf, por sepse për të ndërhyri një mike e imja dhe shkrimi ishte detyrim moral përpara se të ishte një produkt profesional.

Ky person më mori vet në telefon, numrin ja kisha fshirë, më tha kush ishte dhe më tha që më kishte taksur X lekë që të ringrija faqen. E falenderova dhe nuk e takova, pas 3 ditësh përsërita falenderimin dhe i bëra të ditur se problemin e faqes e kisha zgjidhur me shokët e mi.

Personi i dytë që më ka pyetur nëse kisha nevojë për ndonjë ndihmë ishte Monika Kryemadhi.

Më mori në telefon dhe më tha se kishte lidhjet e duhura në SHBA me IT dhe juristë dhe mund të më ndihmonte me apelim te kompania e host-it që më kishte bllokuar dhe me ndihmë teknike.

Sigurisht që e falenderova dhe e përcolla me mirësjellje dhe atë. 

Mirëpo, tek “ditari” im personal, emrat e këtyre dy personave që i ranë telefonit tim në ato momente, unë i kam të shënuar në fletën e mirënjohjes.

Unë as dua t’ia di fare se çfarë mendon ti për biznesmenin nga Bulqiza apo për Monika Kryemadhin personalisht, unë ndjej mirënjohje për të dy ata dhe harroje se mund t’i godasësh nëpërmjet Hashtagut.

Kaq e thjeshtë është. Jam dhe unë subjektiv, sado që përpiqem të jem sa më profesional, sepse dhe unë jam njeri.

Ama nuk pengoj askënd dhe nuk sabotoj askënd, asnjë koleg, asnjë institucion që të investigojë këdo që ai mendon se ka shkelur ligjin, përfshirë dhe biznesmenin nga Bulqiza dhe Kryemadhin.

Mendon se kam ndonjë brerje ndërgjegje? Zero, përkundrazi, ndihem shumë mirë me veten që po i përgjigjem me mirënjohje dikujt që m’u gjend në ato momente.

Nëse do më përmendësh interesin publik apo përrallat me misionin e gazetarit në këtë rast, do të merrja për imbecil, as dua t’ia di fare.

Dhe e di pse?

Sepse e kam mundësinë të veproj kështu, kam NIPT, nuk kam asnjë detyrim si subjekt privat përveçse ndaj organeve ligjzbatuese/tatimore, detyrimi im ndaj lexuesit është një iluzion që ti e ke krijuar te truri yt, ky nuk është problemi im, unë jam subjekt privat, i detyrohem vetes njëherë, interesit tim, pastaj lexuesit.

Dhe këtu dalim në temë:
Po interesin publik kush e ruan organikisht në këtë sistem?

Logjika ta do që interesin publik duhet ta ushqejnë dhe ta ruajë vet publiku, masat.

Sot nuk ka asnjë portal që financohet me kontribute të lexuesve, me qëllimin që ky portal t’i shërbejë organikisht interesit të lexuesve, nuk ekziston fare në Shqipëri kjo kulturë organizimi.

I vetmi subjekt publik mediatik me peshë është Radio Televizioni Publik Shqiptar. 

Ky është një institucion ku shqiptarët do duhej të kërkonin llogari mbi mënyrën se si po administrohet, por shqiptarët, shumica e tyre, kanë rënë në kurthin e sistemit (laissez faire), ata kanë zgjedhur që darkave të shohin debatet e zhurmshme dhe kakofoninë në TV-Klan dhe Top-Channel, të cilat janë dy sipërmarrje private, me NIPT. Kush ua ka fajin që nuk kontrollojnë dot xhepat dhe taksat e tyre?
Rama? Mona? Apo Luli?  
Apo janë vet përgjegjës?  

-Opozitë me pudër

Dua ta them menjëherë: Ajo tryeza Basha-Kryemadhi për median ishte gjëja më mediokre e ndodhur sivjet. Jo pse opozita organizoi një takim për median dhe ligjin anti-shpifje, bëri shumë mirë, por sepse i pashë të dy udhëheqësit e opozitës që dolën nga tryeza duke thënë të dy të njëjtën fjali duke theksuar shqetësimin që dhe OSBE-ja kishte ngritur një ditë më parë.

Nuk e di kush i ka udhëzuar të dy liderët e opozitës të përdornin si fije shpëtimi deklaratën e OSBE-së, por pa kaluar 48 orë, OSBE-ja u hodh në mbështetje të Edi Ramës për projektligjin, i nxori bllof të dy, dukeshin si dy gjynahqarë që mezi presin t’i mbështesë dikush që flet anglisht.

Kjo pastaj e shoqëruar me premtimin pompoz të Bashës se kur të vinte ai në pushtet do e zhbënte këtë ligjin anti-shpifje që cenon lirinë e medias.

Kur e dëgjova, në moment mendova: Seriozisht? Kaq bujar do tregohesh?

Më erdhi në mend dita e dytë pas tërmetit, kur e pashë Bashën në një video në zyrë mondane me sfond librash nga pas, lyer me brilantinë, me pudër, që jepte mesazhe për qytetarët pas tërmetit, i veshur kreko si bankier zviceran, ndërsa Shqipëria ishte zhytur në gërmadha dhe pluhur.

Por sikur të mos mjaftonte maskarada idiote me pudër, kam vënë re se ditët e fundit nga PD-ja dhe regjimentet përkatëse, po hidhet teza: Të arrestohet Dako. 

Për këdo që ka njohuritë minimale mbi historikun e rregullimit të territorit në këtë vend, dihet se që prej vitit 2006 deri në vitin 2013 (periudha kur lulëzuan ndërtimet në Durrës), KRT-të nuk i kontrollonte pushteti lokal, por pushteti qendror, sepse me ligj ky kontroll i kaloi pushtetit qendror.

Për 7 vite, KRT-ja dhe rregullimi i territorit ka pasur vetëm një Shef Suprem, Marin Biçoku quhet, ish-eksponent i lartë i PD-së, ka punuar dhe me vetë Bashën kur ishte te Transportet.

S’kam dyshime se Dako ka plot gjynahe aty në Durrës, por një lider opozite nuk mund të jetë kaq “i lehtë”, me pudër pas tërmetit dhe i dalë bllof nga OSBE-ja, me premtime boshe në tryeza gazetarësh dhe me teza sterile dhe të papjekura si kjo e arrestimit  të Dakos, ndërsa gjykimi mbi atë çfarë ka ndodhur këto 20 vite në Durrës kërkon që përveç ekspertizës, të mbartë dhe një lloj reflektimi njerëzor, e të mos hiqen sikur këta menduan ta lulëzonin Durrësin si Zvicra, por i pengonte Dako me Ramën. Atë çorbë s’mund ta gatuash dot i vetëm.

Dhe fjala vjen:
Ky nivel opozite do më mbrojë mua? Lol

Për të mos kaluar më tej, te loja makiaveliste e Edi Ramës, i cili në heshtje dhe në distancë (kshu si pa e kuptuar) po mbështet zërat që theksojnë grevën e sindikatave të minatorëve në Bulqizë, sepse e di që kjo pistë e komplekson opozitën, sepse opozita nuk ka kurajo t’ia përmendë emrin Samir Manes.

Sepse aty shfaqet haptazi kontrasti: Ja ku e keni Lulin dhe Monën që ankohen për lirinë e medias dhe më bëjnë mua Gogol por ata dhe mediat pranë tyre nuk e përmendin dot me emër Samir Manen.

Kaq duhet që opozita të shfaqet e kompromentuar, imbecile dhe e paaftë përballë Edi Ramës.

Rama e ka fajin dhe për këtë? Apo pudra e tepërt? Në përfundim, për gjithë sa kam shkruar më sipër, shpresoj të kem qenë i qartë se si e shoh dhe e kuptoj mënyrën si funksionon media në këtë vend, duke mos paragjykuar aspak protestën e kolegëve por duke qenë në të drejtën time të mos besoj dot në sinqeritetin e kujt parakalon zhurmshëm para zyrës së Edi Ramës dhe ul kokën para zyrës së Samir Manes. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *