Vendosni fjalën kyçe....

Ekspertët izraelitë përfundojnë misionin” Nëse themi ne një pallat është i banueshëm ka garanci të plotë, ja si duhet të bëhet meremetimi


Ekspertët e ardhur nga Izraeli për të mbështetur ekipet shqiptare në inspektimin e dëmeve nga tërmeti, përfunduan sot misionin dhe për këtë dhanë një deklaratë përpara mediave.

Kolonel Golan, i cili drejton ekipin prej 10 ekspertësh nga Izraeli, na tregoi në terren një prej pallateve fare pranë portit të Durrësit se si po realizohet rikonstruksioni i pallatit dhe se si ky rikonstruksion do të aplikohet në të gjitha pallatet që sipas ekspertëve izraelitë janë të qëndrueshëm dhe kanë nevojë vetëm për meremetime.

“Siç mund ta shihni kemi një kolonë dhe një tra të padëmtuar që tregon se objekti është solid. Në krahun e djathtë kemi vendosjen e një murature të gabuar që ka qenë problemi kryesor që kemi vënë re këto ditë në Durrës. Nga jashtë pamë që kolonat e betonit nuk kishin pësuar dëme por nga brenda shohim që kanë dëmtime të cilat mund të riparohen”, deklaron koloneli Golan.

Por nëse nga pjesa e jashtme nuk ka shenja të dëmtimit të kolonave në brendësi ekspertët kanë zbuluar disa të tilla por që sipas tyre janë tërësisht të riparueshme.

Në këtë kolonë ne kemi bërë kurimin e hekurave ekzistues dhe kemi bërë të mundur lidhjen e tyre me beton të markave më të larta se ç’është betoni që ishte aktualisht. Më pas kemi bërë përforcimin me këtë graut i cili është në një markë të lartë”, thotë inxhinierja Entela Kapllani.

Teknika inovative që po përdoret për herë të parë në këtë pallat të para viteve 90 përfshin fashaturë të re betoni rreth kolonës së dëmtuar si dhe paralelisht mbështjellje të saj me skelet hekuri.

Kreu i grupit të ekspertëve ushtarak nga Izraeli jep garanci maksimale për pallatet ku ekspertiza izraelite ka firmosur rikonstruksionin.

“Kur ne themi që apartamenti apo pallati është i sigurt, është i sigurt. Kur themi që do riparohet, do riparohet dhe kur themi se duhet hedhur në tokë, ai do hedhur në tokë. Unë do të jetoja në këto apartamente me gjithë fëmijët e mi. Ne jemi të gjithë profesionistë. Kur ne shohim qytetarët shqiptarë ne shohim familjet tona”-theksoi koloneli Golan.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *