Vendosni fjalën kyçe....

Miliarderi rus përplaset nga një makinë, mediat britanike fajësojnë Putinin


Një manjat rus që jeton në Britani ka humbur jetën pasi u godit nga një makinë kur po shëtiste qenin e tij.

Mirror” shkruan se Dmitry Obretetsky, 49 vjeç, është i fundit i një vargu rusësh që kanë vdekur në rrethana misterioze në Mbretërinë e Bashkuar.

Policia po bën apel dëshmitarëve të japin informacionin që dinë dhe po kërkojnë pamjet e kamerave të sigurisë.

Baba i tre fëmijëve u përplas nga një makinë pranë shtëpisë së tij më 25 nëntor. Ai vdiq në spital pesë ditë më vonë. Qeni i tij Oscar u vra gjithashtu.

Sipas raportimeve thuhej se në aksident ishin përfshirë deri në tre vetura. Nuk ka pasur arrestime.

Një mik dhe bashkëpunëtor rus i Obretetsky ka ngritur dyshime se ai mund të jetë vrarë me dashje. Pavel Borovkov tha që Obretetsky kthehej rregullisht në Rusi për biznes.

“E dini, njerëzit i drejtojnë makinat me shumë kujdes në Britani. Unë nuk e përjashtoj që ai u rrëzua me qëllim.”– tha ai.

Obretetsky e bëri pasurinë e tij në Volgograd pas rënies së Bashkimit Sovjetik përpara se të transferohej në Surrey (Britanni) me gruan dhe fëmijët e tij. Në zonën ku u vendos ai kishte fqinjë disa yje të klubit të Chelsea FC.

Ai themeloi një kompani të shitjes me pakicë të kimikateve shtëpiake dhe ishte pronar i Magnat Trade Enterprise, si dhe distributori zyrtar për kompanitë Mars, Nestle, dhe Procter & Gamble në Rusi.

Mediat britanike po hedhin dyshime se vrasja e tij mund të jetë e lidhur me presidentin rus, Vladimir Putin. Një numër i madh i emigrantëve rusë në Britani kanë vdekur në rrethana të dyshimta vitet e fundit. Shërbimet e inteligjencës amerikane thuhet lidhin të paktën 14 vdekje me Kremlinin.

Ish-drejtori i linjës ajrore ruse, Nikolai Glushkov, 68 vjeç, u gjet i vdekur në Neë Malden në mars të vitit të kaluar. Ai konsiderohej si armik i Vladimir Putin. Vdekja e tij është ende nën hetim.

Glushkov ishte dënuar me tetë vjet burg në Rusi për përvetësim të 87 milion poundëve nga fondet Aeroflot. Ai pretendonte se dënimi ishte i motivuar politikisht.

Ai ishte mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor i biznesmenit Boris Berezovsky, një kundërshtar kryesor i Putinit, i cili vdiq në moshën 67 vjeç në rrethana të pashpjegueshme në 2013-ën.

Një armik tjetër i Putinit, ish-spiuni i KGB-së Alexander Litvinenko, 43 vjeç, vdiq në 2006 pasi u helmua nga vrasësit e Kremlinit në Londër. Ai ishte gjithashtu i lidhur me Berezovsky.