
Rrjeta të dendura merimangash varen nga tavani në dritën e zbehtë dhe një ëmbëlsi e këndshme, myshkuese mbush ajrin në depon e një koleksioni të çmuar verërash, dikur në pronësi të birit më famëkeq të Gjeorgjisë, Josef Stalin.
Qeveria gjeorgjiane, e cila zotëron rreth 40,000 verëra të rralla franceze dhe gjeorgjiane, e hapi këtë javë për herë të parë bodrumin e verës në kryeqytetin Tbilisi.
Ajo planifikon të nxjerrë në ankand koleksionin, pjesë të të cilit datojnë që nga fillimi i shekullit të 19-të, dhe të përdorë fondet për të hapur një shkollë edukimi për verën në Gjeorgji.
Irakli Gilauri, pronari i Gilauri Wines, i cili punoi me Ministrinë gjeorgjiane të Bujqësisë për projektin, tha se ankandi do ndihmojë “në vendosjen e Gjeorgjisë në hartën e koleksionistëve”.
Vendi i Kaukazit Jugor e prezanton veten si vendlindja e verës, me prova arkeologjike që tregojnë një traditë të pandërprerë të prodhimit të verës prej 8,000 vitesh.

Stalini, i cili lindi në Gjeorgji dhe udhëhoqi Bashkimin Sovjetik nga viti 1924 deri në vdekjen e tij në 1953, ishte një konsumues dhe koleksionist entuziast vere.
Koleksioni i tij përfshin verë nga kantinat më të famshme të Bordeaux-së, të cilat dikur i përkisnin carit rus Aleksandri III dhe djalit të tij Nikolla II. Sovjetikët sekuestruan koleksionin perandorak të Romanovëve pas Revolucionit Rus të vitit 1917 dhe Stalini u bë kujdestari i tij, duke shtuar gradualisht varietetet e tij të preferuara gjeorgjiane.
Duke parë shishet e mbuluara me pluhur dhe lëngun ngjyrë qelibari brenda tyre, koleksionisti Victor Chen, i cili udhëtoi në Tbilisi nga Dallas, Texas, u shpreh i entuziazmuar nga ajo që pa.
“Ndihesh sikur je Indiana Jones duke hapur një shpellë: mund të mos ketë asgjë, mund të ketë diçka,” tha ai, duke iu referuar arkeologut aventurier fiktiv nga seria e filmave, shkruan Reuters.
“Nuk ka mbetur shumë gjëra që ende përbëjnë momente historike në këtë pikë. Dhe kjo mund të jetë një prej tyre.”
