Vendosni fjalën kyçe....

KMSH kundër terapisë hormonale në QSUT për transgjinorët


Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar kundër urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë që parashikon ofrimin, për herë të parë në sistemin publik shëndetësor shqiptar, të terapisë hormonale për personat transgjinorë.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, KMSH shpreh shqetësimin e saj lidhur me ndikimin që procese të tilla mund të kenë te të miturit, duke theksuar se ata nuk duhet të përballen me vendimmarrje që, sipas institucionit, mund të sjellin pasoja të thella dhe afatgjata në një periudhë kur identiteti dhe personaliteti i tyre janë ende në formim.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë argumenton se shoqëria nuk duhet të normalizojë praktika që, sipas tij, krijojnë paqartësi dhe tensione sociale në raport me natyrën njerëzore, institucionin e familjes dhe edukimin e brezave të rinj.

Në reagimin e tij, institucioni fetar u bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetësisë, prindërve dhe aktorëve të tjerë shoqërorë që tema të tilla të trajtohen me kujdes dhe përmes një debati më të gjerë publik.

Sipas KMSH-së, çështje të kësaj natyre nuk duhet të trajtohen “me nxitim apo nën ndikimin e trendeve ideologjike të përkohshme”, por përmes maturisë, dialogut dhe përgjegjësisë institucionale e shoqërore.

Reagimi i Komunitetit Mysliman

“Qëndrim publik mbi udhëzimin për terapinë hormonale te të miturit

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po ndjek me shqetësim të thellë debatin publik të krijuar pas publikimit të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë në tërësi, dhe në veçanti pjesën, ku ndër të tjera thuhet: “Terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç.”

Ashtu sikurse kemi qëndruar publikisht kundër ligjit të ashtuquajtur për barazinë gjinore, i mbetemi koherent qëndrimit kundër edhe derivateve të tjera të tij, siç është rasti konkret.

Udhëzime të tilla përbëjnë një çështje jashtëzakonisht delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik sidomos të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Për këtë arsye, çdo hap institucional në këtë drejtim duhet të trajtohet me kujdes maksimal, përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të shoqërisë shqiptare.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh kundërshtimin e tij ndaj çdo qasjeje që hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të tilla.

Ne besojmë se të miturit nuk duhet të vendosen përballë proceseve me pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur personaliteti dhe identiteti i tyre janë ende në formim.

Fëmijët kanë nevojë për mbrojtje, orientim, mbështetje familjare dhe kujdes profesional të përgjegjshëm.

Shoqëria jonë nuk duhet të normalizojë praktika që krijojnë paqartësi dhe tension social në raport me natyrën njerëzore, familjen dhe edukimin e brezave të rinj.

KMSH i bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe gjithë aktorëve shoqërorë që çështje të tilla të mos trajtohen me nxitim apo nën ndikimin e trendeve ideologjike të përkohëshme, por me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare.

Ne qëndrojmë pranë shqetësimit të shumë prindërve dhe besimtarëve, të cilët kërkojnë ruajtjen e vlerave familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimin e ndjeshmërisë morale e kulturore të shoqërisë sonë.”