Vendosni fjalën kyçe....

Macron propozon një konferencë ndërkombëtare për të ndihmuar Shqipërinë


Presidenti francez, Emmanuel Macron ka propozuar të mërkurën organizimin e një konference ndërkombëtare për të ndihmuar Shqipërinë të përballojë situatën e vështirë, pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Kam një mesazh miqësie e mbështetjeje për miqtë tanë shqiptarë. Shqipëria është përballur me tërmete të tmerrshme javën e fundit me mbi 50 të vdekur, me mijëra njerëz që kanë humbur banesat e tyre, me familje në zi. Franca ka dërguar që në orët e para ekipe të sigurisë civile që kanë bërë një punë të shkëlqyer siç Kryeministri Rama e evidentoi dje, kur ua tha zyrtarisht dje në vendin e tij. Ne do vazhdojmë bashkëpunimin teknik. Dua t’i shpreh Shqipërisë dhe shqiptarëve gjithë mbështetjen time.

Uroj që javën e ardhshme gjatë samitit të Këshillit Europian ne të kemi një qëndrim të përbashkët mbi këtë çështje dhe dua që të arrijmë të organizojmë një konferencë partnerësh, publike e private njëkohësisht për të organizuar dhurimet për rindërtimin dhe shpenzimet e nevojave të para për Shqipërinë. Franca është krejt e gatshme që ta mikpresë një konferencë të tillë”, – tha Macron pas samitit të NATO-s në Watford, afër Londrës.

Edhe pse Franca në tetor ishte vendi kryesor që refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kur ndodhi tërmeti tragjik në Shqipëri, ishte një ndër vendet e para që solli në vendin tonë ekipe të kërkim-shpëtimit për të ndihmuar në nxjerrjen e të mbijetuarve dhe viktimave nga rrënojat.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *