Vendosni fjalën kyçe....

Fotot virale nuk janë nga Shqipëria


Ditën e djeshme disa fotografi janë bërë virale në rrjet për shkak të ndjesive që përçonin lidhur me tërmetin e fuqishëm që goditi vendin duke marrë jetët e 26 personave.

Mirëpo fëmija i vogël në foton e mësipërme që qan nën rrënoja nuk është nga Shqipëria. Ajo është një fotografi e marrë në “Shutterstock”.

Po ashtu as fotoja  e qenit që nuk i ndahet një personi nën rrënoja, që ka nxjerrë jashtë vetëm njërën dorë, nuk është foto nga tërmeti i djeshëm.

Mirëpo disa persona siç duket e kanë parë të arsyeshme të luajnë me njerëzit të cilët të prekur nga ngjarja, nuk kanë nguruar t’i shpërndajnë këto foto në rrjet.

E njëjta gjë vlen edhe për foton virale të autokolonës nga Kosova, e cila është realizuar në vitin 2017. Po kështu edhe pamjet kur forcat ushtarake shpëtojnë një foshnjë, nuk janë të dy ditëve të fundit por janë realizuar në vitin 2016.

Por nuk janë vetëm qytetarët apo gazetarët ata që kanë përhapur pamje të tilla. Edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj zgjodhi foto të para disa muajve, për të bërë thirrje në mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga tërmeti i djeshëm. Pamjet e publikuara nga ai u përhapën duke u shitur si të ditës së sotme, 27 nëntor.

 

Nga tërmeti me magnitudë 6.4 që goditi vendin në orën 03:54 të mëngjesit të kaluar, deri tani kanë humbur jetën 26 persona dhe kanë mbetur të lënduar rreth 600 të tjerë.

Pas kritikave nga gazetarët, kryeministri Edi Rama vetëm pak më herët shpalli më në fund gjendjen e Jashtëzakonshme, në një mbledhje me Këshillin e Ministrave.

PAMJE NGA TËRMETI


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *