Vendosni fjalën kyçe....

Si e justifikon Rama vonesën për të shpallur gjendjen e Jashtëzakonshme


Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Jashtëzakonshme me Këshillin e Ministrave, dha një sqarim për gjendjen e jashtëzakonshme që sipas tij gazetarët dhe një pjesë e kritikëve të tij nuk e kuptojnë, duke u munduar të justifikohet për vonesën në shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme.

“Por për atë që nuk e dinë, gjendja e jashtëzakonshme nuk është çështje thjesht financash, por e një sërë masave. E thashë dje dhe e thotë dhe historia jonë. Pasi çështjen financiare se kemi lënë asgjë mangët. Nuk e di nëse janë të gatshëm ata që e predikonin gjendjen e jashtëzakonshme që t’u nënshtrohen këtyre masave. Gjendja e jashtëzakonshme, për një periudhë 30 ditore, ka hapësirat dhe detyrimet për ata që duhet ta qeverisin atë. Mbase nuk do u vijë për shtat atyre që e kanë predikuar, pasi ka qenë një temë me të cilën mund të bënin politikë, pasi Shqipëria ishte në lot”, tha Rama.

Kryeministri tha se ditën e djeshme nuk ishte ishte koha për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

“Kam dëgjuar me keqardhje disa opinione të çuditshme për gjendjen e jashtëzakonshme, të cilat kanë ndikuar një pjesë të opinionit publik me idera të çuditshme e të gabuara që ne qenkëshim duke evituar gjendjen e Jashtëzakonshme për të mos marrë përgjegjësitë tona.

Dua t’u them qytetarëve që e kanë bërë të vetën këtë tezë pa e ditur se çfarë është në të vërtetë gjendja e jashtëzakonshme, pa na dhënë kohën që t’i bëjmë gjërat me radhë dhe gazetarët që kishin vetëm një pyetje që mund të krijonte audiencë në konflikt, se dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje ka qenë momenti për të adresuar hemoragjinë e tmerrshme që kishte shpërthyer.”- tha Rama, duke u bërë i pari politikan që theu solidaritetin për tërmetin, duke bërë politikë duke sulmuar gazetarët dhe kritikët e tij mbi gjendjen e jashtëzakonshme.

Kryeministri edhe Rama ironizoi edhe njëherë tjetër gazetarët duke thënë: “Ka shumë gam gam në këtë vend sikur ndjell të keqen dhe gam gam gamistët na kanë përfshirë të gjithë në gam gam dhe kanë gamkamosur të gjithë njerëzit duke i kthyer në skllevër të gam gamit dhe ky është një moment i artë për të reflektuar dhe për këtë.”