Vendosni fjalën kyçe....

Shkresa e drejtoreshës tregon të kundërtën, Manastirliu: S’ka urdhër për reduktim operacionesh


Shkresa e drejtoreshës së spitalit të Durrësit tregon të kundërtën, por ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se nuk ka asnjë urdhër për reduktim operacionesh.

”Vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti janë kryer më shumë se 47 mijë ndërhyrje kirurgjikale me instrumentet e rinj dhe sterilizimin me standardet më të larta. Garantojmë qytetarët se shërbimi do të vijojë të jetë në nivelet më të larta, nuk ka urdhër për reduktim operacionesh, ka racionalizim, optimizëm dhe siguri për qytetarët”, tha Manastirliu në konferencën e 27 të Kirurgjisë shqiptare që po zhvillon punimet në Tiranë.

Madje Manastirliu e konsideroi një moment kthese investimin në instrumentet njëpërdorimëshe dhe sterilizimin me metoda bashkëkohore.

Mirëpo shkresa e drejtoreshës së spitalit rajonal në Durrës, Nadire Jani, e publikuar sot nga ish-deputeti demokrat Bardh Spahia tregon të kundërtën.

Në shkresën drejtuar shefit të kirurgjisë, vartësit të saj, Jani urdhëron që gjatë një muaji duhet të operohen gjithsej 155 pacientë, nga të cilët 65 duhet të jenë të planifikuar dhe 90 të paplanifikuar. Në shkresë thuhet se nëse ka më shumë urgjenca, të ulet numri i operacioneve të planifikuara.

Këtë shkresë Spahia e konsideron skandaloze dhe thotë se kjo e ka burimin pikërisht te koncesioni i sterilizimit të instrumentave mjekësore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *