Vendosni fjalën kyçe....

Lihet në burg vëllai i Bledar Toçit, policit të akuzuar për vrasjen e ish-të dashurit të shoqes në Kavajë


Gjykata e Kavajës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Bernard Toçin, vëllain e Bledar Toçit, shefin e sigurisë së burgun e Durrësit që  akuzohet për vrasjen e Dritan Haxhollit.

Bernard Toçi u arrestua nga policia pasi në banesën e tij u gjet lëndë narkotike. Sipas “News 24”, babai i tyre ka deklaruar se ishte Bernardi poseduesi i lëndës narkotike, pasi e konsumonte për qetësim.

Dy akuzat për të cilat akuzohet ai janë për posedim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Në dokumentin zyrtar të Prokurorisë, thuhet se Marsida Qatja i kërkoi ndihmë mikut të saj, Bledar Toçi, shef i sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit, që të ndërhynte për t’i zgjidhur një problem që kishte me ish-të dashurin e saj, Dritan Haxholli. Toçi i kishte premtuar asaj se do ta ndihmonte dhe kanë lënë të takohen në shtëpinë e saj.

Pas ngjarjes së rëndë, kanë qarkulluar disa versione. Fillimisht u tha se Bledar Toçi ishte kushëriri i Marsida Qatjas, ndërsa më pas doli se ishte thjesht miku i saj.

Oficeri i burgjeve ka mbërritur në shtëpinë e Marsida Qatjas rreth orës 20:30 të mbrëmjes së të mërkurës, bashkë me dy miqtë e tij, Xhulio Biturku dhe Ermir Çela.

Në disa media përflitet se këta të fundit kanë qëndruar në shtëpinë e Qatjas, ndërsa Toçi ka dalë dhe është kthyer pas 30 minutash me disa doza kokaine, të cilat nga hetimet paraprake rezulton t’i ketë marrë nga i vëllai, Bernardi.

“Në mbrëmje, Marsida Qatja, Bledar Toçi dhe dy të tjerët kanë konsumuar alkool dhe kokainë“, thuhet në dokumentin e organit të Akuzës.

Më vonë tek shtëpia e gruas ka shkuar Dritan Haxholli, i cili ishte në kërkim nga policia për dy akuza. Ai ka goditur dritaren e katit të parë me qytën e automatikut që kishte fshehur poshtë xhaketës’, dhe siç thuhet në dosje, “nëna e tre fëmijëve e ka ftuar të hyjë në shtëpi”.

Në dosje thuhet se fillimisht Dritan Haxholli i ka drejtuar armën Xhulio Biturkut, duke i thënë se “me ty kam punë pastaj”. Ndërsa Bledar Toçit i është drejtuar me fjalët “pse ma bën ti këtë” dhe menjëherë ka qëlluar me automatik në drejtim të tij, duke e plagosur lehtë në qafë. Zyrtari i burgut të Durrësit i është kundërpërgjigjur dhe me armën e shërbimit ka derdhur plot 17 plumba mbi Dritan Haxhollin.

Sipas gazetares Klodiana Lala, policia ka mbajtur të fshehtë me qëllim faktin e gjetjes së kokainës në banesë, ndërkohë që dyshohet edhe për ndryshim të skenës së krimit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *