Vendosni fjalën kyçe....

Reuters: Franca kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut


Franca u ka thënë vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian këtë javë se ishte kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tani për tani, thanë burime diplomatike për “Reuters”, duke hedhur një hije mbi ambicien e vendeve për t’u integruar me Perëndimin.

Më shumë se gjysma e 28 vendeve anëtare të BE-së, si dhe zyrtarët e saj të lartë në Bruksel, po përpiqen të shpërblejnë të dy shtetet e Ballkanit për reformat duke rënë dakord për të filluar bisedimet e pranimit.

Ata paralajmërojnë se Rusia, Kina ose Turqia mund të përfitojnë nga një “vakum strategjik” në rajonin e trazuar nëse BE nuk arrin të mbajë perspektivë të prekshme për vendet atje.

Por Parisi zyrtar thotë se BE përballet me shumë sfida tani për të lejuar afrimin e dy shteteve të tjera nga Ballkani, një rajon ende i trazuar nga luftërat e viteve 1990 që janë duke u përpjekur të luftojnë krimin dhe korrupsionin.

Franca thotë se BE duhet të reformohet nga brenda së pari për të trajtuar me forcë dhe unitet më të madh sfida të tilla si ndryshimi i klimës dhe migracioni, dhe që të dy vendet kandidate duhet të kryejnë reforma të mëtejshme përpara se të fillohet bisedimi.

“Ata nuk janë ende aty ku duhet. Ne po u kërkojmë atyre të bëjnë përpjekje shtesë,” tha një zyrtar francez.

“Negociatat nuk mund të hapen në tetor 2019, do të duhet të rivlerësojmë situatën diku në vitin 2020.”, shtoi ai.

Ministrat e BE do të diskutojnë çështjen përsëri në Luksemburg të martën para se liderët kombëtarë të takohen në Bruksel për një samit më 17-18 tetor.

Burimet thanë për “Reuters” se Holanda dhe Danimarka ishin gjithashtu qartë kundër ofertës së Shqipërisë kur ambasadorët e BE diskutuan çështjen pas dyerve të mbyllura në Bruksel të enjten, megjithëse holandezët kanë sinjalizuar fleksibilitet të mundshëm për Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, tha të martën se Shkupi duhej të miratonte legjislacionin për të krijuar një organ të pavarur të ndjekjes publike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *