Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca e Braçes dhe një video që flet më shumë se zv.kryeministri


Zv.kryeministri Braçe doli sot përpara shqiptarëve për të shpjeguar situatën në të cilën ndodhej infrastruktura shtetërore, pas tërmetit me magnitudë 5.8 ballë të së shtunës.

Numri dy i qeverisë, tha se gjithçka ishte e sigurt dhe në funksion të plotë.

Në fund të konferencës, ai tha se qeveria dhe deputetët janë të organizuar, të qartë e në përputhje me ligjin duke theksuar “kështu jemi e kështu do vijojmë të jemi, në kontakt me njerëzit”.

Një ditë pas tërmetit, kryeministri Rama në mbledhjen me ministrat e deputetët e Partisë Socialiste u kërkoi këtyre të fundit që të shkojnë të kontaktojnë me banorët për t’u ardhur në ndihmë, madje duke i paralajmëruar se puna e tyre në terren do monitorohej.

Ditën e djeshme, dy nga deputetët e Ramës, Blerina Gjylameti dhe Ditmir Bushati, shkuan në zonën e Unazës së Re në Tiranë, për të takuar banorët e për të parë dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

Pas fjalës së deputetëve, një nga banorët e zonës tha një të vërtetë, që bie ndesh me atë që deklaroi pak minuta më parë zv.kryeministri Braçe.

Ai deklaroi se asnjëherë ministra apo deputetë nuk kishin vajtur në zonë për t’u takuar me ta dhe për t’i pyetur për problemet e tyre duke përmendur disa syresh si mungesën e energjisë elektrike, të një shkolle e të tjera.

Herë tjetër mbase do ishte e udhës, që përpara se të bënin deklarata si ajo e sotmja, zv.kryeministri Braçe, ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste, të paktën të uleshin përpara televizorit dhe të dëgjonin se çfarë thonë ata, me të cilët pretendojnë se janë në kontakt të vazhdueshëm. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *