Vendosni fjalën kyçe....

Tahiri dënohet me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, bien akuzat e trafikut të drogës


Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri.

Treshja e gjyqtarëve, Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, ka vendosur që ish-ministri të dënohet me 5 vjet burg për shpërdorim detyre por për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohet në 3 vite e 4 muaj burg.. 

Për ish-ministrin kanë rënë akuzat për “trafik droge”, ndërsa dënimi do konvertohet në shërbim prove.

Prokuroria ka kërkuar 12 vjet burg ndaj ish-zyrtarit, ndërkohë që gjykata ka pranuar më herët kërkesën e Tahirit për gjykim të shkurtuar.

Seanca ndaj ish-ministrit të Brendshëm në periudhën 2013-2017, Saimir Tahiri nisi mëngjesin e sotëm te Krimet e Rënda.

Ish-zyrtari i lartë akuzohej për tre vepra të rënda penale; “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”.

Me nisjen e seancës, ajo u ndërpre për disa minuta pasi sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda, disa nga provat e përmendura në seancën e kaluar nga Tahiri mungonin në dosjen e ish-ministrit.

Bëhet fjalë për emailin dërguar prokurorit Dritan Prençi, shkresat e dërguara në drejtim të ish Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe regjistri i hyrje daljeve në Ministrinë e Brendshme.

Në mbrojtjen e tij, ish-ministri Tahiri ka deklaruar se ai po akuzohej për shitjen e një makine ndaj vëllezërve Habilaj, ndërkohë që kishte të tjerë që nuk mbanin përgjegjësi për vëllezërit trafikantë.

Gjatë seancës ai nxori një artikull gazete me fotografinë e tij e kryeministrit Rama, dukë thënë se ditën kur pretendohet se ai ka qenë duke ngrënë drekë me Habilajt, ka qenë në Gjermani me ministren e Integrimit, Gjosha, ndërsa të nesërmen në një takim informal me kryeministrin Rama.

“Në momentin që këta personat flisnin për dreka me shefin e madh, unë kam qenë në një drekë bashkë me ministra të tjerë, të mbledhur nga kryeministri. Takimi është pasqyruar edhe në media. Ja ku kam qenë, në foton ilustruese të lajmeve në media jam unë dhe Kryeministri. Asnjë nga ne nuk është shefi i madh, ai është shefi i madh, por për qeverinë.” – tha Tahiri në seancë.

Pas përfundimit të seancës së parë e tërheqjes së trupës për marrjen e vendimt, avokati i Tahirit, Maks Haxhia, tha për mediat se prokuroria nuk ka asnjë provë të re në këtë çështje dhe sipas tij do ishte një habi e madhe profesionale për të, nëse klienti i tij do dënohej.

Avokati Haxhia tha për mediat se është çmenduri të dënohet ish-ministri Tahiri, kur gjykata nuk ka as edhe një provë të vetme kundër tij.

“Shiko ca edhe kanë pjesë të humorit brenda dhe të sarkazmës. Shqipja është shumë e bukur dhe e larmishme dhe e interpeton si të duash. Ai u tha prokurorëve: Si e keni vërtetuar ju që jam unë “shefi i madh. Si paskam qenë unë shefi i madh. Unë paskam qenë në një takim me zonjën Klada Gjosha për ato problemet e Integrimit dhe më pas në mëngjes kam qenë me kryeministrin. Tani kush është shefi i madh? S’jam unë se s’mund të jem në dy copa. Një me Habilajt e një në Bruksel. Të gjykosh ish-ministrin për vepra tepër të rënda, pa asnjë provë, është të ulërasësh, të hipësh mbi tavolina. Me aq sa e njoh dosjen dhe e njoh shumë mirë, nuk e di ku gjykata, në rast çmendurie, do ta gjejë një provë të vetme.” – tha Haxhia.

Tahiri u dorëhoq si ministër në mars të vitit 2017, ndërsa 1 vit 2 muaj më pas, më 3 maj 2018 dorëzoi edhe mandatin e deputetit.

Seanca e parë ndaj Tahirit është zhvilluar në datën 19 qershor të vitit 2019.

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet ndaj tij më 28 shkurt 2019 dhe e çoi dosjen në gjykatën e Krimeve të Rënda ndërsa kjo e fundit vendosi më 26 mars për nisjen e gjykimit, duke mos pranuar pushimin e çështjes.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *