Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Dialogu për daljen nga kriza, institucional. Opozita e ka gati paketën


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka deklaruar se hapja e negociatave nuk është më një betejë politike por një sfidë për shqiptarët.

Në intervistën e dhënë për A2 CNN, Kryemadho theksoi se çelja e negociatave ka kritere të qarta të përcaktuara të cilat qeveria shqipare nuk i ka plotësuar, ndërsa përmendi edhe kriteret e shtuara për qeverinëë shqiptare lidhur me çeljen e negociatave.

“Dua t’ju theksoj që çelja e negociatave nuk është më një betejë politike, por është një sfidë për popullin shqiptar dhe për klasën politike shqiptare. Mos të harrojmë që kur morëm për herë të parë po themi propozimin nga komisioni I BE për hapjen e negociatave kishim 5 kushte që ishin të lidhura me Reformën në Drejtësi. Pastaj vitin tjetër morëm edhe 8 kushte të tjera, nga 5 u bënë 13, pastaj morëm edhe disa kushte të tjera dhe tani po presim kushte të tjera. Nëse do të realizojmë këto kushte do të hapen negociatat. Luftë kundër korrupsionit do të thotë që të fusësh brenda të gjithë ata të cilët kanë hedhur firmën të zezë mbi të bardhë për koncesionet, për vjedhjet, për grabitjet, për uzurpimin e pronave të qytetarëve, për mashtrimet që u kanë bërë qytetarëve, për vjedhjet e parave të buxhetit të shtetit, për shkeljen e Kushtetutës, për shkeljen e ligjit e të gjitha kështu me radhë. Pra nuk do të thotë luftë kundër korrupsionit thjeshtë një përrallë apo një bojatisje fasadash.” – tha Kryemadhi.

Kryemadhi tha se qëndrimi i opozitës dhe pozicionimi ekstrem i saj ishte diçka e domosdoshme në realitetin politik shqiptar, në kushtet kur të gjitha pushtetet janë kapur nga kryeministri.

“Opozita është shumë e qartë dhe pozicionimi ekstrem i opozitës në jetën politike shqiptare, ishte diçka e domosdoshme për të pozicionuar Shqipërinë në BE, sepse deri në janar, asnjëri nga ne nuk e kuptonte se ku do të shkonte Shqipëria. BE-ja është e ardhmja e Shqipërisë. Opozita është në unison në qëndrimin e saj dhe kjo është e qartë. Opozita është e gatshme për t”u përballur me çdo platformë dhe për të qenë partnere e realizimit të çdo pakete kombëtare transparente, e cila anëtarëson Shqipërinë në BE, krijon një reformë në drejtësi të pavarur dhe të drejtë për shqiptarët, krijon luftë kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, hap hapësira për punësimin e të rinjve, sepse vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të ketë mundësinë ti mbijetojë kësaj situate dhe kësaj krize të tmerrshme. Akuzat tona kanë që në momentin që kemi djegur mandatet. Mazhoranca kapi sistemin e drejtësisë dhe po e përdor për të mbrojtur kriminelët dhe grupet kriminale. Çdo ditë e më shumë po lirohen grupe kriminale për mungesë të provave, ka vrasje që nuk kapen asnjëherë autorët, burgjet nuk mbushen me oligarkët që kanë grabitur xhepat e shqiptarëve por me hallexhinjtë që nuk paguajnë dot energjinë elektrike, apo për ndonjë kafe lagje që nuk ka kuponin tatimor. Kjo mazhorancë jo vetëm që është kundër integrimit europian, sepse integrimi do të thotë rregulla, shteti të jetë ligjor, do të thotë që të funksionojë demokracia, të funksionojë pluhuralizmi. Kjo mazhorancë bëri bejsbollin kushtetues. I hoqi të drejtën e fjalës opozitës, i hoqi të drejtën e përfaqësimit opozitës në delegacionet parlamentare, i hoqi të drejtën e diskutimit opozitës në Parlament për çështjen e ministrave të famshëm që solli z. Rama në janar. Pastaj filloi ti hiqte dhe të drejtën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, sepse ishte garancia e opozitës dhe e demokracisë.” – shtoi ajo.

Në fund Kryemadhi tha se dialogu për zgjidhjen e krizës mes shumicës e opozitës duhet të jetë institucional dhe opozita e ka një paketë për daljen nga kriza e thellë.

“Dialogu duhet të jetë institucional dhe dialog ne nuk bëjmë sa herë ka Rama problem, nuk bëjmë ne dialog sa herë ka Monika problem apo Luli apo Berisha etj. Dialogu duhet të jetë institucional sepse edhe një nga kushtet që ka Bashkimi Europian përhapjen e negociatave është dialogu politik. Dialog do të thotë të bëjmë dhe për çmimin e ujit edhe për mungesën e ujit, dialog edhe për shkollat, do të thotë edhe për infrastrukturën, do të thotë edhe për korrupsionin, do të thotë edhe për reformën në drejtësi, do të thotë edhe për reformën zgjedhore, do të thotë shumë gjëra dialogu politik sepse për hir të se vertetës mungesa e dialogut politik, e institucionit të dialogut ka sjellë që shqipëria sot e kësaj ditë të jetë në tranzicionin politik. Hapja e negociatave do të zgjidhte njëherë e përfundimisht krizën në të cilën është përfshirë Shqipëria, jo vetëm po themi krizë shoqërore jo vetëm krizë sociale dhe ekonomike por mbi të gjitha edhe krizë mentaliteti sepse për hir të së vërtetës shqiptarët po bëhen më të mbyllur më depresiv e cila po i largon nga Shqipëria.” – mbylli ajo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *