Vendosni fjalën kyçe....

Dolët blof me Babanin? Bardhi: Kur bëjmë denoncim e verifikojmë më parë. Javës tjetër publikojmë prapë dokumente


Kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani, i ka mohuar kategorikisht akuzat e Partisë Demokratike, se ai preket nga ligji për dekriminalizimin.

Por, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se para denoncimeve vërtetohet çdo akuzë dhe sigurohet i gjithë informacioni.

Gjatë një mbledhjeje me strukturat vendore të PD-së në Shkodër, Bardhi tha se në betejën për dekriminalizimin janë larguar deri sot mbi 300 funksionarë publik.

I pyetur nëse denoncimi për kreun e bashkisë së vaut të Dejës doli bllof, pasi Babani i ka mohuar akuzat,  Bardhi tha se PD po pret që Prokuroria e Përgjithshme të kryejë një proces ligjor por shtoi se pritja nuk do të zgjasë pafundësisht.

“Ne nuk e kemi nisur nga Shkodra betejën tonë për largimin e personave me rekorde kriminale nga funksionet publike. Është një betejë e gjatë e Partisë Demokratike e kurorëzuar me miratimin, me kërkesën tonë, të ligjit për Dekriminalizimin në vitin 2015. Janë larguar deri më sot mbi 300 funksionarë publik të emëruar çuditërisht nga një krah, që është qeveria. Shkodra, Vora dhe Vau i Dejës janë vetëm tre rastet e fundit të zbuluara. Më lejoni tu kujtoj që i pyetur po nga ju, nëse unë nuk gaboj, edhe Valdrin Pjetri e mohoi fillimisht dënimin e tij për trafik droge në Itali, por më pas u detyrua ta pranojë. Ajo që unë garantoj opinionin publik është që Partia Demokratike në momentin që bën një denoncim publik ka arritur të verifikojë dhe të sigurojë të gjithë informacionin e nevojshëm që vërteton akuzën apo denoncimin që bën. Sigurisht nuk është detyrë e PD të provojë të kaluarën kriminale të funksionarit publik, kjo është detyrë e prokurorisë. Prandaj ne i jemi drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer një proces ligjor. Ne jemi duke pritur që ata ta bëjnë, por ne nuk do të presim pafundësisht. “, tha Bardhi.

Ai shtoi se PD kishte ende dokumente të papublikuara për rastin e Babanit, por që javën e ardhshme do publikohet dokumentacioni i plotë.

“Besoj brenda javës që vjen, për të mos thënë në fillim të javës që vjen, çdo informacion dhe dokumentacion i disponuar nga ana jonë do i bëhet prezent publikut. Nuk është prezantuar deri tani, jo se ne kemi dalë blof. blof do dalin ata që mendojnë se mund të fshehin të kaluarën e tyre kriminale. Ne do t’i disponojmë qytetarëve shqiptarë dokumentacionin e plotë që kemi mbi këtë rast.”, deklaroi Bardhi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *