Vendosni fjalën kyçe....

“News 24” jep versionin e vet për largimin e Krastës dhe Rakipit



“News 24” ka reaguar për herë të parë pas largimit nga puna dhe mbylljes së emisioneve të gazetarëve Ylli Rakipi dhe Adi Krasta.

Përmes një njoftimi ku nuk u përmend as emrat gazetarëve, “News 24” e justifikon largimin e Krastës dhe Rakipit duke thënë se kjo ka ndodhur në kuadër të një riformatimi profesional për hir të sezonit të ri.

“Lidhur me reagimet ndaj lëvizjeve të sezonit të ri në News24, Bordi i këtij televizioni vëren se këto komente dhe kritika në formën e sulmeve burojnë nga logjika joprofesionale dhe nga interesa që nuk janë as të teleshikuesve dhe as të opinionit publik.
Edhe ky sezon i ri, ashtu sikurse sezonet e mëparshme në News24, nis me një riformatim profesional, në përputhje me strategjinë tonë si media në kontekstin dinamik në të cilin ndodhet media shqiptare në tërësi, ashtu si edhe çdo media botërore në raport me teknologjinë dhe tregun e audiencës.”, thuhet në njoftim.

Televizioni mohon se lëvizjet e fundit kanë ndodhur për ndërhyrje nga ana e politikanëve.

“Gazetarët e sezonit të kaluar punuan në liri të plotë dhe pa asnjë ndërhyrje editoriale në hapësirën e tyre, duke përmbushur çdo detyrim kontraktual nga ana jonë. Ndryshime janë bërë, po bëhen aktualisht dhe do të vijojnë të bëhen në ardhmen, por asnjë parti politike apo interes tjetër nga ai i publikut nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë të influencojë vijën editoriale të këtij televizioni.
Sulmet dhe komentet e pabaza në lidhje me këto lëvizje bien ndesh me vetë interesin publik, i cili kërkon të mësojë të vërtetën, të njohë të gjitha pikëpamjet dhe jo instrumentalizimin e mediave apo emisioneve për qëllime të tjera.”, vijon njoftimi.

Para dy ditësh “Hashtag.al” publikoi lajmin se gazetarët Ylli Rakipi dhe Adi Krasta ishin pushuar nga puna, për shkak të ndërhyrjes personale të kryeministrit Edi Rama te pronari i “News 24”-ës, Irfan Hysenbelliu.

Rakipi mbrëmjen e kaluar theu heshtjen, duke konfirmuar se ishte vetë Rama ai që fshihet pas largimit të tij nga puna.
“Kontrata ime është ndërprerë në mes, mbaronte në vitin 2020. Ishte një kontratë dy vjeçare.” – tha Rakipi duke shtuar se: “Unë në emisionin tim përgjatë ekzekutimit të tij, kam patur problematika të mëdha me qeverinë dhe kryeministrin Rama. Kam edhe materiale filmike, ku Rama vjen në tryezë dhe bën presion, ofendon një prej gazetarëve. E rëndësishme është se Edi Rama është fokusuar në emisionin tim, kur unë kam publikuar afera të lidhura drejtpërdrejtë me qeverinë.”/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *