Vendosni fjalën kyçe....

OBSH jep alarmin: Fruthi vdekjeprurës rikthehet në Shqipëri


Ndoshta virusi më ngjitës në planet, Fruthi është rikthyer furishëm në Shqipëri, në të gjithë Evropën dhe në Amerikën e Veriut.

Pavarësisht deklarimeve të Institutit të Shëndetit Publik në vendin tonë, fruthi nuk është eliminuar. Përkundrazi në harkun kohor të një viti ka një trend gjithnjë e në rritje.

Në një shkrim të publikuar nga Associated Press, thuhet se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë alarmin për një “ringjallje dramatike” të fruthit në Evropë, pjesërisht si rrjedhojë e refuzimit të vaksinave, me gati 90,000 njerëz të sëmurë nga virusi në gjysmën e parë të vitit 2019.

Në një raport të publikuar të enjten, Agjencia Shëndetësore e Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se numri i rasteve të fruthit nga janari deri në qershor të këtij viti, është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë për vitin e mëparshëm. Fruthi është ndër sëmundjet më infektive në botë dhe është përhapur kryesisht nga kollitja, teshtitja dhe kontakti i ngushtë fizik me personat e prekur.

Edhe pse vende të shumta evropiane kanë futur politika më të forta të vaksinimit, refuzimi i vaksinimit ka nxitur epidemitë në të gjithë kontinentin. Muajin e kaluar, qeveria gjermane propozoi politika për arritjen e imunizimit nga fruthi të fëmijëve dhe të punonjësve në kopshte dhe shkolla. Kjo për arsye se në Gjermani janë shënuar më shumë se 400 raste të fruthit këtë vit.

Me më shumë se 84,000 raste, Ukraina përbënte pjesën më të madhe të të prekurve nga fruthi në Evropë, e ndjekur nga Kazakistani dhe Gjeorgjia. Në shkurt, Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës njoftoi se tetë njerëz kishin vdekur si pasojë e fruthit.

Sipas një komiteti të ekspertëve të OBSH-së, katër vende – Shqipëria, Republika Czecheke, Greqia dheMbretëria e Bashkuar, tani kanë humbur statusin e tyre pasi nuk kanë eleminuar fruthin. Fruthi mund të parandalohet me dy doza të vaksinës, por nuk ka trajtim efektiv pasi njerëzit janë infektuar.

Në disa vende të zhvilluara, shkalla e vaksinimit të fruthit ra ndjeshëm pas botimit të një studimi në fund të viteve 1990 që lidhte vaksinat e kombinuara të fruthit, shytave dhe rubeolës me autizmin. Që prej asaj kohe zyrtarët shëndetësorë kanë luftuar për të dekurajuar keqkuptimet në lidhje me sigurinë e vaksinës.

“Keqformimet në lidhje me vaksinat janë po aq ngjitëse dhe të rrezikshme sa sëmundjet që ndihmojnë në përhapjen e fruthit”, ka thënë drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një deklaratë këtë javë.

Në vitin 2017, OBSH-ja vlerësoi rreth 110,000 njerëz vdiqën nga fruthi në të gjithë botën, kryesisht fëmijë nën 5-vjeç. 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *