Vendosni fjalën kyçe....

Betohet Safet Gjici, PD: Sot Kukësi do kishte viktima, policia e ushtria gati për konflikt civil


Sot Safet Gjici, bëri betimin si kryebashkiak i Kukësit në sallën e mbledhjeve në institucionin e Prefektit të Qarkut Kukës. Më pas ai është futur në zyrë, pa ndeshur rezistencë nga ana e opozitës.

Në një dalje për mediat, koordinatori i PD-së për qarkun e Kukësit Kreshnik Çollaku tha se sot në Kukës ka patur forca të shtuara policie e të ushtrisë, që sipas tij ishin bërë gati dhe të shkaktonin viktima. Sipas tij kjo është arsyeja pse Gjici është lejuar të futet kaq kollaj në zyrë, për të mos shkuar në një  përplasje që mund të kishte pasoja në njerëz.

“Unë sot dua të falenderoj drejtuesit e PD-së të degës së Kukësit, mbështetësit e PD-së, qytetarët e Kukësit që kanë shmangur një skenar të rrezikshëm për qytetin e Kukësit.

Këto forca të shtuara policore, ushtarake dhe civile dhe kontigjentë të krimit, kanë patur vetëm një skenar që si dhuratë ndaj kukullës së Ramës në Kukës, të shkaktonin konflikt civil dhe deri viktima. Unë falenderoj përmbajtjen, qetësinë, mencurinë, të strukturave të PD-së, mështetësve të PD-së dhe qytetarëve të Kukësit, të cilët edhe pse të revoltuar dhe të indinjuar për këtë përdhunim që po i bëhet këtij qyteti, me gjithë këtë revoltë kanë arritur të vetëpërmbahen.

Sot në zyrat që do të drejtojnë bashkinë e Kukësit është instaluar një njeri i cili ka mbështetjen e më pak se 10% të qytetarëve të Kukësit. Është një njeri me një mandat jolegjitim.

Asgjë e vjedhur, po ia them Safet Gjicit dhe Edi Ramës, nuk do ta gëzonin. Çdo gjë e vjedhur do të digjet. Ky është pushtet i vjedhur, dhunues, si në Kukës, si në gjithë Shqipërinë.

E keqja do thyhet.

Kjo është një ditë e zezë për historinë e Kukësit, kjo është një ditë e zezë për demokracinë në Shqipëri. Sot është rikthyer dhe në formë dhe në përmbajtje monizmi.”, tha Çollaku.

Në fund Çollaku shtoi: “Edhe njëherë falenderoj vetëpërmjajtjen e kuksianëve sot, në rast se kjo revoltë nuk do të ishte e përmbajtur sot Kukësi do të kishte viktima.”