Vendosni fjalën kyçe....

Profil – Mjeke e nënë e 7 fëmijëve, Ursula von der Leyen dhe platforma e saj për BE-në


Shefja e re e pritshme e Bashkimit Europian, gjermania Ursula von der Leyen ka mbajtur një fjalim të fortë në Parlamentin Europian në prag të zgjedhjes së saj, duke shpalosur projektin e saj për BE-në.

Ish-ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, tha se liria është sekreti i lumturisë por për këtë duhej guxim, ndërsa theksoi nevojën e një Europë të fortë.

‘Sekreti i lumturisë është liria dhe për këtë guximi është i domosdoshëm. Le të jemi së bashku të guximshëm, për Europën.’ – tha ajo.

Qëndrimet në Parlamentin Europian sipas Von der Leyen ishin konstruktive dhe të të larmishme dhe kishte vërejtur dallime mes Europës lindore dhe asaj qendrore si dhe mes veriut e jugut të kontinentit, megjithatë duhej gjetur një e mesme e artë.

Ajo është shprehur se do e mbështesë çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Çelja e negociatave të BE-së me dy vendet e Ballkanit Perëndimor është rekomanduar dy herë më parë nga paraardhësi i saj, Juncker, por Këshilli i BE-së ka vendosur ta shtyjë këtë vendim për në muajin tetor.

Gjatë fjalës së tij, ajo theksoi se Europa e saj do ishte e fortë dhe ajo do mbështeste dhe ndihmonte këdo që do ishte pro kësaj ndërsa paralajmëroi se do ishte armike e kujtdo që do përpiqej ta dobësonte BE-në.

‘Për mua vetëm një gjë është e rëndësishme: Evropa duhet të përforcohet dhe kush dëshiron ta bëjë të lulëzojë do të më ketë përkrah, por ata që kërkojnë ta dobësojnë këtë Evropë, do të gjejnë tek unë një armike të ashpër.’ – tha ish-ministrja gjermane.

Ajo theksoi gjithashtu nevojën e një marrëveshjeje të re për emigracionin duke theksuar se duhej një politikë e re për emigracionin ilegal por njëkohësisht duke shpëtuar jetët njerëzore në kufijtë e Europës, sidomos në Mesdhe.

Von der Leyen është propozuar prej dy javësh për kreun e BE-së për 5 vitet e ardhshme dhe në platformën e saj ka deklarar se duhen më shumë përpjekje për pagat minimale në Europë si dhe marrëveshje për klimën.

Kush është Ursula von der Leyen

60-vjeçarja që pritet të jetë shefja e BE-së, është anëtare e CDU-së së Kancelares gjermane, Merkel. Von der Leyen flet rrjedhshëm dy gjuhë të huaja, anglisht e frëngjisht. E lindur në periferine e Brukselit, ajo është e bija e një politikani të njohur që ka shërbyer si kryeministër i Saksonisë në Gjermani.

Ajo është mjeke me profesion dhe ka 7 fëmijë, më i vogli 20 vjeç. Që prej ngjitjes në pushtet të Angela Merkelit, von der Leyen njihet si mbështetëse e fortë e saj dhe një nga të preferuarat e kancelares.

Von der Leyen ka mbajtur 3 herë poste ministrash duke nisur në vitin 2005 si ministre e Familjes, në vitin 2009 është emëruar ministre e Punës dhe Mirëqenies ndërsa në vitin 2013 kaloi në Ministrinë e Mbrojtjes, pozicion për të cilin ka marrë jo pak kritika së fundmi.

Von der Leyen nuk njihet si bashkëpunëtore e ngushtë e kancelares Merkel, megjithatë bën pjesë në rrethin e shefes së qeverisë gjermane. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *