Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Levanit bllokojnë punimet në By-passin e Fierit, kërkojnë dëmshpërblim për tokat e prekura nga rruga


Banorët e Levanit, të cilët janë pronarët e tokave në gjurmën e By-passit kanë dalë sot në protestë duke bllokuar rrugën e duke ndalur punimet.

Ata kërkojnë dëmshpërblim për pronat e tyre që preken nga ndërtimi i rrugës. Sipas tyre, kërkesat për dëmshpërblim kanë rënë në vesh të shurdhër.

Banorët janë në pritje të dëmshpërblimit të tokave të tyre që prej nisjes së ndërtimit të kësaj rruge.

Ndërkohë ata ankohen edhe për mungesën e mbikalimeve dhe nënkalimeve, që mungojnë dhe u shkaktojnë shumë probleme për lëvizjen për në tokat e tyre.

Në vend mbërritën forcat e policisë dhe pas negociatave me banorët, këta të fundit i tërhoqën duke lejuar makineritë të nisin punën. Banorët kanë deklaruar se nëse nuk gjejnë zgjidhje për problemin e tyre do e përshkallëzojnë protestën.