Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon mbledhja e Kryesisë së PS-së, Rama iu qan hallin gazetarëve: Më pritët në diell


Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat foli për gjërat që janë diskutuar. Duke i qëndruar premtimit të tij të sillet mirë me gazetarët në vazhdim, Rama tha se ai s’kishte ndërmend të fliste por ku i pa që e prisnin në diell vendosi t’u përgjigjej.

“Unë nuk kisha ndërmend të flisja por meqë ishit këtu në diell më thoni çfarë pyetjesh keni dhe unë do t’u përgjigjem.”, tha Rama.

Por edhe pse tha se nuk kishte planifikuar të deklarohej për mediat, në faqen e tij zyrtare në “Facebook” e gjithë deklarata e Ramës u transmetua “LIVE” sikurse ndodh me të gjitha daljet e planifikuara dhe aspak spontane.

Kryeministri tha se në mbledhje është diskutuar për organizimin e PS-së.

“Kemi bërë një diskutim për paqyrën e 30 qershor.. Kemi parë me kujdes çdo qark, çdo bashki. Kemi diskutuar për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ku do të flasim për çfarë është bërë e çfarë do të bëjmë në vijim pas pushimeve. Gjëja më e rëndësishme është se kemi hapur një diskutim për ta çuar në një nivel tjetër organizimin e PS.

Në çdo bashki që deri dje është qeverisur nga e djathta për të ndërtuar një proces solid në raport me administratën, për të mos shfaqur asnjë tendencë tradicionale prej pushtuesish në këto bashki, për të respektuar të gjithë ata që sot punojnë në këto bashki, për të mos prekur asnjë grua apo vajzë në radhë të parë që figuron në administratën bashkiake dhe për të pasur parasysh të gjitha lëvizjet të cilat do të jenë të nevojshme.”, tha Rama.

Kryeministri po ashtu shoi zërat se në shtator do të kishte ndryshime në qeveri.

“Nuk ka ndryshime në qeveri, janë fantazi që bëhen nga temperaturat e larta.

Nuk kam deklaruar që do ketë ndryshime. Kam thënë se do ketë një sërë detyrash që janë për t’u bërë dhe nëse detyrat janë bërë, nuk ka ndryshime apo jo.”, janë fjalët e Ramës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *