Vendosni fjalën kyçe....

Përgjimet e Zaev, reagon PD: Lajm ogurzi, konfirmuan se projekti për ndarjen e Kosovës është i vërtetë


Partia Demokratike ka reaguar lidhur me përgjimet e publikuara një ditë më parë të kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, i cili konfirmonte planet mes presidentit Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandar Vuçiç për shkëmbimin e territoreve.

Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti Aldo Bumçi thotë se Zaev vetëm ka konfirmuar se projekti për ndarjen e Kosovës është i vërtetë.

“Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pohon dhe një herë që projekti për ndarjen e Kosovës është i vërtetë, dhe ndryshe nga çfarë është përpjekur ta paraqes Edi Rama në fakt ky është një projekt serb që i shërben interesave serbe dhe ruse, dhe qarqeve të caktuara që janë të interesuara për çdo lloj skenari ogurzi duke cenuar rëndë interesat e Kosovës.

Kjo është tradhti e lartë ndaj interesave kombëtare dhe mos distancimi për asnjë moment i Edi Ramës nga ky projekt, dhe me keq akoma vazhdimi i mbështetjes së këtij projekti me deklarata dhe forma të tjera edhe pas Samitit të Berlinit tregon që Rama dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë me këmbëngulje në këtë drejtim.

Ky është një lajm ogurzi për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët në rajon, që tregon se fatet e kombit janë në duart e një grupi njerëzish të papërgjegjshëm që për interesat dhe pushtetin e tyre personal janë gati të tregtojnë dhe të zhbëjnë arritjet historike që kanë ardhur nga sakrifica sublime. Partia Demokratike i bën thirrje shqiptarëve dhe partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE që të mos lejojnë zbatimin e këtij projekti anti-europian dhe anti-NATO që është kundër paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës në rajon dhe më gjerë.”, janë fjalët e Bumçit.

Zaev kishte rënë pre e një loje të kurdisur nga dy komedianë rusë Vladimir ‘Vovan’ Kuznetsov dhe Alexei ‘Lexus’ Stolyarov, të cilët janë shtirur si ish-Presidenti ukrainas Poroshenko dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Në përgjime, Zaev jep detaje për marrëveshjen, duke thënë se 10 komuna të Kosovës do t’i kalohen Serbisë, por ai paralajmëron se kjo mund të sjellë luftë në Ballkan.

Zaev shpreh shqetësimin e tij për këtë marrëveshje, ndërsa thekson se edhe kancelarja gjermane Angela Merkel është kundër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *