Vendosni fjalën kyçe....

‘Rama nuk mori asnjë cent nga 180 milionë eurot në Poznan, ndëshkim i BE-së për korrupsionin e krimin’ – Basha


Kreu i Partisë Demokratike, Basha, tha se dalja pa asnjë projekt nga samiti i Poznanit, ndryshe nga vendet e rajonit që fituan 180 milionë euro investime, është ndëshkim i qëllimshëm i qeverisë korruptuar e të lidhur me krimin.

Në një deklaratë për mediat, Basha tha se qeveria Rama është e vetmja qeveri në 30 vjet tranzicion që nuk ka bërë asnjë përparim drejt integrimit europian. Ai theksoi se largimi i Ramës është arritje që do përmirësojë jetën e çdo shqiptari.

‘Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk përfitoi asnjë qindarkë nga 180 milionë eurot që Bashkimi Europian u dha vendeve të Ballkanit për projekte kombëtare infrastrukturore, për vitin 2019.

Është ndëshkim i qëllimshëm kundër një qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Është vazhdim i qëndrimit të prerë të vendeve të Bashkimit Europian për të mbajtur Shqipërinë jashtë çdo procesi afrimi për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. Qeveria Rama është e vetmja qeveri në 30 vjet tranzicion që nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimit europian.

Fatkeqësisht izolimi ndërkombëtar që po i bëhet qeverisë Rama po sjell pasoja direkte për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët po ndëshkohen për shkak të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin. Prandaj largimi i Ramës është një arritje që do të përmirësojë jetën e çdo shqiptari.​’


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *