Vendosni fjalën kyçe....

Meta pas takimit me Bashën: Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë


Gjatë takimit me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, presidenti Ilir Meta ka kërkuar përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjitha palët.

Pak pas takimit, presidenti shkruan në adresën e tij zyrtare në “Facebook” se “Sot prita në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha për të diskutuar mbi krizën aktuale që po kalon vendi. Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë.”

Takimi mes Metës dhe Bashës ka zgjatur rreth 20 minuta, ku në fokus të diskutimeve mes tyre ka qenë 30 qershori dhe gjetja e një zgjidhje për krizën politike.

Ky takim vjen tre ditë përpara zgjedhjeve të 30 qershorit. Meta ftoi edhe kryeministrin Edi Rama, duke i thënë se do ta priste në Presidencë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 13:00 në një përpjekje për të mundësuar dialogun mes palëve.

Mirëpo Rama e ka refuzuar ftesën e presidentit duke thënë: “kemi zgjedhje, jam i zënë“.

Pavarësisht deklaratës së kryeministrit, Meta u tregua i përpiktë duke mbërritur në Presidencë që në orën 05:00. Basha gjithashtu u tregua i përpiktë duke mbërritur në orën 09:00 në takim, ashtu siç ishte njoftuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *