Vendosni fjalën kyçe....

Kolegji Zgjedhor vendos sot për dekretin e Metës


Ditën e sotme pritet të mblidhet Kolegji Zgjedhor, për të vendosur nëse është e vlefshme data 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve vendore.

Mbledhja e Kolegjit Zgjedhor vjen pas kërkesës së Partisë së Unitetit Kombëtar të Idajet Beqirit, parti aleate e PS-së.

Trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor  përbëhet nga: Ridvan Hado, Tomor Skreli, Artur Malaj, Lindita Sinanaj dhe Astrit Kalaja.

Disa juristë e kanë konsideruar absurde mbledhjen e Kolegjit Zgjedhor, pasi që nga momenti që Dekreti i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, u botua në Fletoren zyrtare, ai është ligj dhe nuk vihet më në diskutim. 

Komisioni Qendror i zgjedhjeve e ka rrëzuar dekretin e Presidentit, duke e konsideruar atë nul. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk pritet të sjellë një zgjidhje për krizën politike, pasi dy palët i bëjnë interpretime të ndryshme çështjes. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD Ivi Kaso, doli në një deklaratë për mediat për të thënë se Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të gjykojë dekretin e Presidentit.

Sipas opozitës, dekretet e presidentit mund të gjykohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese e cila prej dy vjetësh nuk ekziston.

Opozita është e vendosur të mos zhvillohen zgjedhjet më 30 qershor, ndërkohë që maxhoranca është e vendosur t’i vazhdojë ato pavarësisht mungesës së garës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *