Vendosni fjalën kyçe....

Bushati dhe tre ish-ministra të tjerë të jashtëm letër BE-së: Hap negociatat


Katër ish-ministra të Jashtëm të shteteve ballkanike i kanë dërguar letër BE-së duke i kërkuar hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Letra është firmosur nga Bushati, Mitov, Kasoulidis dhe Kotzias.

Ditën e djeshme, Këshilli i Europës e shtyu marrjen e vendimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë për në muajin tetor.

Në njoftimin për Shqipërinë thuhet se për shkak të kohës së limituar dhe rëndësisë së vendimit, Këshilli do rishikojë me imtësi raportin e Komisionit Evropian dhe do marrë një vendim sa më shpejt por jo më vonë se Tetori 2019.

Ndërkohë që nga opozita pati reagime mbi përgjigjen zhgënjyese, kryeministri Edi Rama nga ana tjetër e quajti pozitiv lajmin për shtyrjen e marrjes së vendimit, duke sulmuar edhe një herë opozitën dhe aksionin e saj politik.

LETRA:

Komisioni Evropian prezantoi komunikatën e tij për Politikën e Zgjerimit të BE-së për vitin 2019, me raportet shoqëruese të vendeve, më 29 maj të këtij viti. Komisioni Evropian përsëriti rekomandimin drejtuar Këshillit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, bazuar në progresin e kalendarin e miratuar në qershor 2018 nga vetë Këshilli. Pavarësisht se është ndoshta politika me e suksesshme e transformimit të BE, asnjëherë me parë politika e zgjerimit nuk ka qenë subjekt i kaq shumë kundërshtive brenda vetë BE.

Ne i bëjmë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mbështesin rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Procesi i anëtarësimit në BE rrit mundësitë për të përmirësuar demokracinë dhe zhvillimin socio-ekonomik, për të siguruar të drejtat e qytetarëve në këto vende. Përmes monitorimit dhe shqyrtimit të progresit të arritur, BE do të asistojë dhe do të veprojë si partner në këtë proces.

Rritja socio-ekonomike e Shqipërisë dhe Maqedonië së Veriut në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE do të kontribuojë vendosmërisht për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e një shteti demokratik, drejtësinë dhe lirinë e shprehjes në të dy këto vende. Nevoja për të filluar procesin e anëtarësimit për të dy vendet përkon me kërkesat e shoqërive të tyre, historisë së tyre dhe vetë rajonit. Ajo përkon, megjithatë, me nevojën e vetë Bashkimit Europian. Pranimi i tyre nuk do të thotë ti bësh nder dikujt, por është pasurim i vetë Projektit Europian.

Ne i bëjmë thirrje shteteve anëtare të BE, por kryesisht dy shteteve kryesore, Gjermanisë dhe Francës, të tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe Europës dhe të përmbushin premtimet e tyre. Ne u bëjmë thirrje të veprojnë me përgjegjshmërinë e duhur dhe të mos shtyjnë rrugën europiane për këto dy vende. Në këtë kontekst, duhet që Këshilli i Europian i qershorit, pa hezitim, të vendosë një datë për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ish-ministrat e Punëve të Jashtme të:

Shqipëri                Bullgari                 Qipro                        Greqi

Ditmir Bushati    Daniel Mitov         Jannakis Kasoulidis    Nikolaos Kotzias

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *