Vendosni fjalën kyçe....

Breshëri plumbash në Martanesh, fëmija 6 vjeç në gjendje të rëndë


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Krastë të Martaneshit, ku një fëmijë është plagosur me armë zjarri.

6-vjeçari ndodhet në spitalin e Peshkopisë në gjendje të rëndë, pasi ka marrë tre plumba në pjesën e fytyrës.

Personi që ka qëlluar me armë është identifikuar si Jetmir Koxherri, 27-vjeç. Mësohet se Koxherri  dhe babai i djalit ishin konfliktuar me njëri-tjetrin në një lokal. 27-vjeçari ka marrë një armë automatik dhe ka shkuar e gjuajtur me breshëri plumbash në banesën e personit me të cilin kishte bërë sherr, por plumbat kanë kapur fëmijën 6 vjeçar.

Familjarët kërkuan që fëmija i tyre të transportohet drejt Tiranës dhe një helikopter është nisur drejt Peshkopisë për të marrë fëmijën. Ai tanimë po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës.

Ndërkohë policia ka arrestuar 27-vjeçarin Jetmir Koxherri, personin që dyshohet se plagosi vogëlushin 6-vjeçar.

“Reagimi në kohë i Policisë vë në pranga autorin e dyshuar që qëlloi me armë zjarri në drejtim të një banese e për pasojë mbeti i plagosur një fëmijë.

Sekuestrohet arma e krimit automatik tip “kallashnikov”.

Me datë 19.06.2019, rreth orës  01:15, është marrë informacion, se pas një konflikti për motive të dobëta në një lokal, mes shtetasve J. K., H. Rr. dhe Sh. P, shtetasi  J. K,  është larguar nga lokali dhe dyshohet se ka marrë një  armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të banesës të shtetasit H. Rr,  ku për pasojë ka mbetur i plagosur një fëmijë i mitur, i cili po merr ndihmë mjekësore  në spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Bulqizës, në orët e mëngjesit, është bërë kapja e autorit të ngjarjes shtetasit J. K., 27 vjeç, banues në Krastë, si  dhe sekuestrimi i armës së krimit.

Grupi hetimor vijon hetimet në vendngjarje.”, thuhet në njoftimin e policisë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *